TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kërkoi lirinë. Prej 4 muajsh Meta mbahet në qeli, ndërsa kërkonte lirinë më argumentin se jemi në prag të zgjedhjeve të 11 majit dhe se drejton forcën e dytë opozitare në vend. Trupa Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici rrëzuan rekursin e Metës, por edhe të Monika Kryemadhit që e cilësonte masën “detyrim paraqitjeje” të paligjshme.
Pas shpalljes së vendimit, Meta me një audiomesazh nga burgu sulmoi drejtësinë duke thënë se angazhimi i tij dhe Partisë së Lirisë është të përballet me narko regjimin. Meta tha se me këtë vendim kaluan një pengesë fiktive, pasi Gjykata e Lartë sipas tij nuk ‘ekziston’ dhe kështu hidhet edhe një hap drejt rrugës për ta dërguar çështjen e tij në Gjykatën e Strasburgut. Meta u bëri thirrje shqiptarëve që të votojnë dhe tha se më 11 maj narko regjimin do e hedhin në lumin e Lanës.
“Make Albania Great Forver. Ky është zotimi ynë, ky është angazhimi ynë për 11 majin, ditën historike kur do ndahemi nga narko regjimi, por edhe narko drejtësia e tij. Sot për çështjen ‘Meta’ hodhëm një hap pozitiv se kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë, që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së strasburgut.
Pa asnjë diskutim do të fitojmë siç kemi fituar edhe në Komisionin e Venecias kundër ‘Ramaformës’. Me këtë rast mos harroni se 2 marsi po vjen dhe bashkë me të edhe 5 dhjetori i atij mitingu të jashtëzakonshëm, mbarëkombëtar, patriotik, në mbrojtje të Kushtetutës, falë të cilit jo vetëm u çmontua botërisht ‘Ramaforma’ si pjellë e gjithë ligjeve antikushtetuese në kundërshti me konsensusin e 140 vota që pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por njëkohësisht kur prapësuam dhe hodhëm në Lanë ligjin e betimeve.
U bëj thirrje simpatizantëve të Partisë së Lirisë dhe shqiptarëve, të gjithë drejt 11 majit, të gjithë bashkëatdhetarët atë të nxitojnë të regjistrohen të marrin pjesë në këtë ditë historike kur narko regjimi do hidhet te Lana siç e hodhi Maqedonia regjimin kukull të Sorosit në Vardarë. Malet tona më të larta”, tha Meta.
Ish-presidenti dyshohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara CEZ-DIA, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Kryemadhit, ndërkohë SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre.
Masa arrest me burg për Metën është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, duke bërë që Meta prej 21 tetorit 2024 të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.
Komente

Lajm i mire.
PërgjigjuLajm shume i mire! Propaganda e Blushit dhe e bandes te shpartalluar LSI ishte se ky vrases hajdut do lirohej. Tani ska me shpetim.