4 gra të moshave të ndryshme, janë operatore telefonike që shesin lodra seksi. Ndërtohet në dukje mbi këtë linjë, komedia e parë e gjatë, “Celulë seksuale” e Anna Longarettit, e përzgjedhur nga producentja Shegushe Bebeti për ta vendosur përballë publikut vendas. Por, në zhvillim të saj, do të zbulohen dilemat që trajton autorja në lidhje me zgjedhjen e një gruaje, për të qenë ose jo nënë.
“Është një komedi që të bën për të qeshur e për të qarë. Ndonjëra prej këtyre grave, sapo mbyll telefonin nis të rrëfejë një hall të madh familjar, që mund të jetë vërtetë një dramë e madhe, e që në moment, ti mund të përlotesh e ta diskutosh”, shprehet Bebeti.
Regjisori Donard Hasani, thotë se në vënien në skenë të kësaj shfaqjeje, bashkë me Elidon Alikën si asistent, kanë parë përtej asaj që propozon titulli. Problematikat familjare, raporti në çift por edhe konfliktet midis prindit e fëmijës, janë vetëm disa nga elementët e tjerë, që do të shohë publiku në Teatrin Eksperimental.
“Do të shfytëzohen hapësirat e mundshme për t’u përballur me publikun kudo qoftë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe”, thotë regjisori Donard Hasani.
Bebeti do të jetë një nga 4 gratë operatore, ndërsa bashkëshoqërueset e saj në këtë ‘call center’ do të jenë Jorida Meta, Françeska Hysi e Delinda Disha. Aktori Naum Shundi, vjen në këtë pjesë të përkthyer nga Rudi Erebara si menaxheri i tyre.
“Edhe kjo vepër nuk i ka shpëtuar kësaj klisheje që është një ‘happy end’” thotë Shundi, i cili zbulon më tej se nuk do të mungojnë as konfliktet mes 4 operatorëve.
Kjo komedi, që vetë autorja e cilëson si të hidhur nis në datë 24 mars, ndërsa kostumografja Laedia Hajdari ka mundësuar një skenografi të thjeshtë për një shfaqje lëvizëse.