Një ditë pas kapjes së 195 kilogramë kanabis sativa në Kapshticë, Policia ka zbardhur skemën e tentativës së lëndës narkotike me anë të një kamioni që po udhëtonte në Greqi.
Sipas policisë numri i personave të arrestuar ka shkuar në 4, nga të cilët dy janë organizatorët, ndërsa në kërkim është edhe organizatori i tretë.
Policia kufitare ka përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijë të dytë mjetin kamion tip “Iveco”, me drejtues shtetasin Safet Velaj 54 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte si destinacion Greqinë.
"Kontrolli ka vijuar më pas me procesin e skanimit të kryer nga Dogana, ku u shfaqën dyshime se mbi karrocerinë e mjetit mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Konkretisht në sipërfaqen e saj u gjet një sasi prej 195 kg lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Drejtuesi i kamionit (i dënuar më parë për veprën "Dhuna në familje") u arrestua në kushtet e flagrancës", thuhet në njoftimin e policisë.
Pas shoqërimit të shoferit, policia zbardhi skemën e tentativës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, duke identifikuar dhe kapur edhe personat e tjerë të implikuar në këtë veprimtari.
U arrestuan:
1-Shefki Hima 64 vjeç, banues në Tiranë, akuzuar për trafik narkotikësh (i dënuar më parë për "Vetëgjyqësi")
2-Vilfred allias Alfred Cenolli 55 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve").
3-Mondi Janko 48 vjeç, banues në Korçë, akuzuar për veprën penale "Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve" i cili ka falsifikuar dokumentacionin e kamionit.
4-Safet Velaj 54 vjeç nga Mallakastra, banues në Tirane dhe i arrestuar për trafik narkotikesh. Ka qenë i dënuar më parë për dhunë në familje.
Si edhe u shpall në kërkim shtetasi B. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili së bashku me shtetasit Shefki Hima dhe Vilfred allias Alfred Cenolli, dyshohet të kenë qenë në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie.
Edhe pse policia nuk e konfirmon, një ditë më parë gazetarja e Report TV, Gladiola Hoxha bëri të ditur se destinacioni final i lëndës narkotike ishte Turqia.