Katër të rinj kanë marrë peng dhe dhunuar një 48-vjeçar në Durrës. Burime nga policia bëjnë me dije se shkak është bërë një konflikt për një vend parkimi mes 48-vjeçarit Denis Simaku dhe babait të tre prej autorëve, të cilin e ka ofenduar.
Tre djemtë bashkë me një person tjetër i kanë shkuar në studion fotografike dhe e kanë dhunuar. E kanë marrë me forcë në automjet dhe e kanë dhunuar sërish, duke e lënë më pas pranë depos së ujit në Spitallë.
Simaku ka përfunduar në spital por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë vetë ai që ka bërë kallëzim në polici për katër të rinjtë që e kanë dhunuar. Ka telefonuar policinë, dhe efektivët e kanë marrë dhe e kanë dërguar në spital.
Ndërkohë, policia ka bërë identifikimin e tyre dhe i ka shpallur në kërkim.Bëhet fjalë për shtetasit A. K., 27 vjeç, K. K., 31 vjeç, J. K., 35 vjeç dhe S. P., 27 vjeç, të gjithë banues në Durrës. Automjeti që është përdorur nga autorët është gjetur dhe sekuestruar nga policia.
Simaku rezulton se ka një studio private fotografike dhe punon te UAMD sai fotograf. Ka në pronësi një furrë buke si dhe punon gjithashtu edhe si operatori i jashtëm te një portal në Durrës.
“Menjëherë për kallëzimit të shtetasit D. S., 48 vjeç, se 4 shtetas e kishin marrë me forcë, në automjet, dhe e kishin dhunuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët. Si rezultat i veprimeve hetimore janë identifikuar shtetasit e përfshirë në këtë rast, konkretisht A. K., 27 vjeç, K. K., 31 vjeç, J. K., 35 vjeç dhe S. P., 27 vjeç, të gjithë banues në Durrës. Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.”, njoftoi policia.
Ndërkaq, materialet proceduriale janë referuar në Prokurori për veprimet e mëtejshme hetimore.
Komente
