40 artiste nga Shqipëria dhe Kosova ekspozojnë ‘synimet’ e 70 viteve në Galerinë Kombëtare të Arteve (VIDEO)

1 Shkurt 2021, 17:16| Përditesimi: 1 Shkurt 2021, 17:39

  • Share

Ekspozita “Synime” është çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nën kurimin e Adela Demetja-s dhe Erëmirë Krasniqi ekspozita është konceptuar në dy seksione; “Arkivat e trupit”, që shqyrton trupin i cili është përherë në proces dhe “Gramatika e kujtesës”, që shqyrton mënyrat e narrativizimit vizual bazuar në kujtesë personale dhe kolektive.

 “Nuk ka qenë shumë e lehtë përgjedhja e këtyre veprave. Ne kemi punuar një vit për këtë ekspozitë. Por, duhet thënë se iniciativa ka ardhur nga institucioni, kjo gjë e bën më të lehtë, se shpesh grave u është dashur që të luftojnë për të ekspozuar punët e tyre, për t’u vendosur në fushën e artit. Kësaj here kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim institucional. Kemi marrë punët e koleksioneve të Galerisë së Artit në Prishtinë dhe në Tiranë”, thotë kuratorja Demetja, e cila më tej shton se gratë kanë përdor strategji të ndryshme për të vijuar në fushën e artit, për të qenë të suksesshme.

“Mbi këtë ngrihet edhe koncepti kuratorial, jo vetëm mbi punën që kanë bërë këto artiste për të qenë prezent, por edhe për të qenë të arrira. Këtu në 40 pozicione artistike vihet re një larmishmëri trajtimesh të punës dhe praktikës së tyre artistike. Ne synojmë që mos ta limitizojmë përkufizimin e punëve të artit femërore, por ta shtrijmë më tej. Shpesh artisteve femra u është dashur të punojë në kuzhinë, në ambiente ku gatuhet dhe ku ka fëmijët, por është dalë përtej kësaj hapësire. Në një farë mënyre, këto artiste jo vetëm kanë mbijetuar, por kanë dhënë një kontribut të vyer kombëtar edhe rajonal”, vijon kuratorja Adela Demetja.

Sipas Demetjas, diferenca midis artisteve gra në Tiranë edhe atyre në Prishtinë ekziston, pasi këto të fundit kanë pas lirshmëri në artin e tyre që pra viteve ‘90.

“Ekspozita shkon përtej faktit që janë veç gra, por trajton aspektin e gruas në art, që ka qenë një farë shënjuesi në zhvillimin e tyre. Na ka interesuar të shqyrtojmë disa terrene kritike, që kanë të bëjnë me trupin, kujtesës edhe vizibilitetin e tyre”, shprehet ndër të tjera kuratorja Erëmirë Krasniqi, e cila shton se gratë kanë qenë shumë të vëmendshme në zhvillimet që kanë ndodh në secilën disiplinë në 70 vite.

Veprat e 40 artisteve gra nga Shqipëria,  Kosova dhe diaspora rrëfejnë synimet e tyre në 70 vite art, nga përfaqësueset e para Alije Vokshi e Androniqi e Sofia Zengo, Lume Blloshmi, Edit Pula, Alketa Ramaj apo Brigita Antoni.

“‘Metrat e fundit’ është një vepër që e kam bërë në Londër në ’98-n. Është shpërbërë një vepër shumë e madhe. Pasi ky ka qenë edhe koncepti i saj, ajo që ndodh me një vepër pasi del nga salla e ekspozimit. Ndërsa, ekspozita “Synime” më pëlqen shumë. E harroj elementin nëse këtu janë gra apo edhe burra. Shikoj një ekspozitë të plotë, të artisteve gra në vite edhe shikoj një spektër shumë të gjerë, që tregon se sa potencë ka pas gruaja artiste edhe sa pak vizibilitet ka pasur”, shprehet ndër të tjera artistja Edit Pula.

 “Më është dukur me vend kjo ekspozitë. Është një lloj bashkimi apo uniteti estetik tek femrat në breza të ndryshme”, thotë Alketa Ramaj.

Ekspozita do të qëndrojë hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në datë 1 prill. Më pas do të çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?