Pas më shumë se dy vite në fuqi, qeveria bën një hap pas, me unifikimin e akcizës për gazin e lëngshëm. Në një takim me Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe kryetarët e komisioneve parlamentare të Ekonomisë dhe Veprimtarisë, u shprehën dakord për të hequr akcizën prej 6 lekë litri për gazin e lëngshëm.
“Energjia përmes gazit të lëngshëm zë 40% të kostove operative, si do ta garantojmë ne merakun se mos abuzohet. Propozimi jonë është i thjeshtë. Në hyrje të ndërmarrjes vendoset një matës gazi, e vendosim me investimet tona, por të kontrollohet nga Financat, nuk e prekim ne, siç nuk prekim sahatin e energjisë elektrike. Po bëhet dy vite që ne paguajmë”, tha prodhuesi Reshat Mansaku.
“Ne do ti japim një frymëmarrje sipërmarrjes për një periudhë trevjeçare, që të keni mundësi të forconi pozitat tuaja në tregun rajonal dhe për të rritur konkurrueshmërinë në mënyrë transparente”, tha Balluku.
“Ne jemi gati për të proceduar me shpejtësi në Kuvend për këto tre procedura”, u shpreh deputeti socialist Eduard Shalsi.
“Ajo akcizë është një taksë e tepruar dhe nuk ka asnjë arsye se përse duhet të jetë atje”, tha deputeti Arben Pëllumbi.
Prej 1 korrikut 2022, akciza për çdo litër gaz të lëngshëm është 6 lekë, një tarifë kjo që sipas Prodhuesve Shqiptarë ju ka rritur kostot në biznesin e tyre. Që prej vitit 2021 kur u propozua kjo akcizë, prodhuesit ishin kundër dhe më pas kanë kërkuar shpesh herë që të hiqet, pasi gazin e përdorin në prodhimin e produkteve të tyre, dhe ju shton kostot.
Po ashtu prodhuesit kërkuan që tu jepet mundësia të importojnë lëndë djegëse alternative dhe t’i përdorin në prodhimin e çimentos. Përgjigjen e morën nga Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Sot do të diskutojmë tre çështje të rëndësishme, heqja e akcizës së gazit të lëngshëm, mundësimi i importimit të lëndëve djegëse alternative, dhe mundësimi i lëndëve të para dytësore të listës së gjelbër”, tha Aleko Polo drejtor i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.
“Dje më ka ardhur në dorë drafti i parë për ligjin e ri të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Synimi është që brenda këtij legjislacioni qeveria ta dërgojë në parlament. Kërkesave tuaja do ju japim zgjidhje me këtë ligj, edhe produktet e gjelbra patjetër që duhet të jenë akteve nën ligjore, për ti dhënë mundësi bizneseve të mos mbyllen por të jetojnë”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.
Prodhuesit kanë bërë edhe disa kërkesa të tjera ndaj qeverisë, si shtyrja e aplikimit të taksës së karbonit për fabrikat e prodhimit të çimentos që hyn në fuqi në 2026-ën si dhe lejimi i prodhimit të qeseve plastike për eksport, që aktualisht është i ndaluar.