40 artistë të pikturës nga trevat e ndryshme shqiptare kanë zgjedhur këtë herë për të hedhur në telajo natyrën e bukur të Kolonjës .
Fshatrat turistike të Rehovës dhe ngjyrat e vjeshtës në pikat më atraktive të qytetit të Kolonjës janë burim i pashtershëm frymëzimi në krijimin e artit të tyre.
“Mali i Gramozit është shumë fantastik, që dje kur erdha gjithë rrugës e kam vështruar me kujdes. Lagjja me këto shtëpitë karakteristike me kishën në qendër, vjeshta e artë e bëjnë shumë tërheqës këtë peizazh”, tha piktori Nazmi Maja.
“Mikëpritja është e mrekullueshme, sidomos e njerëzve këtu na flasin na pyesin, kanë interes mbi pikturën, shikojnë se çfarë po bëjmë . Jemi shumë të kënaqur", u shpreh piktori Ergys Demo.
“Ambienti është shumë origjinal, peizazhi, mali, qielli vjeshta me gjethe e zverdhura çdo gjë është frymëzuese e piktoreske”, tha Edmond Papathimiu.
Për drejtuesin e kolonisë së piktorëve Fatmir Toçi rëndësia e veçantë evenimentit është promovimi i natyrës shqiptare përmes artit e të bukurës.
“Me të vërtet punët e këtyre punët e këtyre piktorëve nga i gjithë rajoni janë të pazakonta, me një impresion të drejtpërdrejte nga natyra. Është një projekt i promovuar para shumë viteve Instituti i Librit dhe Promocionit për të promovuar Shqipërinë përmes artit", tha Toçi.
Pikturat e realizuara mjeshtërisht do të prezantohen të dielën në një ekspozitë në qendër të qytetit të Ersekës.