“Artistët kanë harruar veten”. Kështu mendon piktori Helidon Haliti, i cili nën këtë tematikë ka bërë bashkë në Muzeun Historik Kombëtar rreth 140 artistë shqiptarë edhe ndërkombëtarë të akuarelit. Në dy bienale ajo ndërkombëtare e vetëportretit edhe akuarelit prezantojnë 400 vepra, që kanë në qendër portretet e artistëve të njohur, si Sali Shijaku, Gazmend Leka, Skender Kamberi edhe shumë të tjerë, të cilët çdo ditë duhet të përballen me veprën e tyre, të dialogojnë me të, edhe të meditojnë rreth saj.
“Unë sjell artistë nga 60 vende të ndryshme të botës, jo vetëm për të parë raca të ndryshme, por mënyrën e të menduarit. Shpeshherë e shikojmë se artistët nuk kanë adhurim për veten, por një dilemë. Shpesh një artist e shikon veten, si pasqyrë të thyer. Ne mundohemi që t’u tregojmë artistëve se në gjithë këtë lëvizje, që ata kanë bërë, kanë harruar veten. Çdo artistë ka nevojën që ta nisë nga vetja edhe të meditojë herë pas herë për veprën e tij. Padyshim që artisti është përherë i pakënaqur me veprën e tij, që kur ndalet para saj kthehet në një lloj dialogu me veten edhe me kolegët”, shprehet kuratori i ekspozitës, Helidon Haliti.
Një shqetësim i artistit është edhe mbi mundësitë, që artistët shqiptarë kanë për të ekspozuar.
“Hapësirat tona janë shumë të ngurtësuar, nuk kemi hapësira për të ekspozuar. Ne mundohemi që të konceptojmë apo të perceptojmë ekspozitat në bazë të këtyre hapësirave, nuk i krijojmë ato nga e para. Ndërkohë, që bota prej 70 vitesh i ka hapësirat bosh, ne mundohemi që hapësirën ta ndërtojmë nga e para. Pra nëse për të huajt kanë mure të lëvizshme, ne kemi mure të betonuara, që me fatkeqësi e them se nuk i zhbëjmë, por mundohemi të bëjmë pakt. Kjo ndodh jo se jemi një popull i vogël, por se ne jemi një popull që ngopemi shpet”, shprehet Haliti.
Përpos çlirimit që artistët arrijnë, përpos kufijve që kanë kapërcyer në art, piktori Helidon Haliti vazhdon që të mendojë, se arti i konsoliduar në vendin tonë është bërë para viteve ’90.
“Ky është një eksperiment që nuk është bërë enkas, nuk ka zgjidhje. Nëse ne shikojmë vendet e zhvilluara një artist këmbëngul në një tematik të caktuar. Ndërkohë ne jemi në përditshmërinë tonë në kërkim të diçkaje të re. Nga momenti që artistët shqiptarë janë një numër i kufizuar, që çajnë në botë, duhet të themi se shumë pak prej tyre kanë çarë me vepra shqiptare. Pra kjo trysni nuk na ka bërë shumë mirë. Arti më i konsoliduar, duam apo nuk duam ne është ajo e para viteve ‘90. Aty ka qenë edhe trysnia. Edhe nëse vëmë re sesa vepra kanë qenë pro apo kundër kësaj trysnie, mendoj se janë shumë pak vepra. Kjo ekspozitë që është në këto dimensione do të qëndrojë ekspozuar vetëm 10 ditë, që këtu nis trysnia, sepse publiku nuk ka kohë, që të meditojë mbi veprat”, vijon piktori Helidon Haliti.
Mjeshtrit e akuarelit do të demonstrojnë për artdashësit punën që bëjnë nëpërmjet workshopeve. Ekspozita do të qëndrojë hapur për publikun deri në datë 30 shtator në Muzeun Historik Kombëtar.