Kronikë

41.700 dosje stok (ose 4 vjet e 3 muaj për t’i shqyrtuar!) Raporti i Apelit: Mungesa e gjyqtarëve, emergjencë kombëtare, të ndërhyjë Kuvendi dhe qeveria

12 Prill, 18:16| Përditesimi: 12 Prill, 19:47

  • Share

Mungesa e gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë është tashmë në kufijtë e një emergjence kombëtare, duke shkuar përtej KLGJ-së dhe kërkohet ndërhyrje nga legjislative dhe ekzekutivi.

Kështu e konsideron Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm fluksin e madh të punës, me mijëra dosje të prapambetura, e cila sipas saj duhet të jetë prioritet i institucioneve qendrore, për të vendosur të gjitha burimet e nevojshme në dispozicion. Shqetësimi ngrihet në raportin vjetor të vitit të 2024-s, të dorëzuar në Kuvend.

Apeli thotë se të dhënat tregojnë se qëllimi kryesor që pati reformimi i hartës së re gjyqësore në vitin 2023 është shumë larg realizimit. Përmes këtij raporti, Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm thotë se Këshilli i Lartë Gjyqësor duhej të bënte më shumë përpjekje për përshpejtimin e procesit të promovimit të gjyqtarëve të rinj, si dhe shtimin e ndihmësve ligjorë, të cilat aktualisht janë vetëm 22, me një raport që nuk është as 1 për 1 gjyqtar.

Një tjetër problem për Apelin janë ambientet, mungesa e sallave të gjyqeve dhe ato për arkivën, të cilat e vështirësojnë punën për të dhënë drejtësi. Në mars të këtij viti, qeveria ka kaluar një godinë të Tatimeve për Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila synohet të vihet në përdorim dhe t’i shërbej sado pak zbutjes së problematikave.

Gjykata e mbylli vitin 2024 me një total prej vetëm 26 gjyqtarësh, 3 herë më pak nga 78 sa duhej të kishte në organikën e miratuar që në vitin 2022. E megjithatë, 9850 çështje gjyqësore u gjykuan, me një mesatare prej 534 çështjesh për gjyqtarë. Në total janë 41,700 dosje të prapambetura, të cilat, pa asnjë dosje të re, me 26 gjyqtarët aktual do të duheshin të shqyrtoheshin për 4 vjet e 3 muaj, gjithmonë sipas mesatares së vitit 2024.

Standardi ndërkombëtar për një efikasitet të lartë gjykimi është 100%, që nënkupton se duhen gjykuar në një vit i njëjti numër çështjesh që regjistrohen si të reja. Për vitin 2024, kjo shifër shkoi në nivelin 71%, duke shënuar rritje me vitin 2023. Por, në kushtet që është Apeli sot, shifra pranohet të jetë e mirë, pasi me vetëm 30% trup gjyqtarësh u realizuan 71%.

Megjithatë, ky rezultat tregon edhe se gjykata nuk është në gjendje të menaxhojë plotësisht ngarkesën e re të ardhur dhe vijon jo vetëm të mos zbus stokun e çështjeve të prapambetura por të akumulojë gjithnjë e më shumë ngarkesë.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 12/04/2025 21:06

    Jo mor jo nuk eshte mungesa e gjyqtarve por sabotino qe I bene gjyqtaret dhe prokuroret gjykimit te dosjeve sepse ato dosje jane qe nga viti 2016 e ne vazhdim Sabotatore te reformes ne drejtesi., si po e tregojne edhe tani qe punojne me dy standarte .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?