Në një kohë kur në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga ndërtimet pa leje, në Durrës një 42-vjeçar ka ndërtuar një kabinë druri në një tokë publike.
Policia e Durrësit që ka konstatuar këtë ndërtim të paligjshëm, thotë se objekti është pa leje përkatëse dhe është vendosur në një pronë publike në lagjen Nr.4 të qytetit.
Objekti u konstatua gjatë kontrolleve në terren. Kabina ishte në ndërtim e sipër, për qëllime përfitimi.
Pronari, 42-vjeçari me iniciale F.B., u arrestua në flagrancë për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Durrës/Kontrolle intensive në terren, për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin.
Po ndërtonte një objekt, për qëllime fitimi, në pronë publike, në lagjen nr. 4, pa lejen përkatëse, arrestohet 42-vjeçari.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me IMT, gjatë kontrolleve në terren, për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave të zëna për qëllime fitimi, kanë konstatuar në lagjen nr. 4, një objekt prej druri që po ndërtohej pa lejen përkatëse.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 42 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, kryer për qëllime fitimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Komente
