Ministri i Brendshëm Taulan Balla ka publikuar pamje nga operacioni i sotëm me 43 urdhër arreste pas zbardhjes së disa ngjarjeve kriminale nga SPAK.
Në video shihen forcat RENEA teksa mësyjnë në vilat e personave të shpallur në kërkim, e madje duke u ngjitur me shkallë.
"Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj", shkruan Balla.
Më shumë se 40 urdhër arreste, disa prej të cilave janë ekzekutuar, u lëshuan pas zbardhjes së disa ngjarjeve kriminale, vrasje të rënda, atentate që nga 2018. Emrat në masë sigurie, janë shumë të lakuar në botën e krimit, që nga Klani Duka në Tiranë, Ervis Martinaj, Indrit Dogle, Fatmir Hyseni, ish deputeti i PS Arben Ndoka, Fatmir Hyseni në Vlorë dhe Lulzim Berisha aktualisht në burgjet e Spanjës.
Dhjetra forca të RENEA, FNSH, nisën kontrollet herët në mëngjes, nga Veriu në Jug; Shkodër, Lezhë, Kurbin, Fushë Krujë, Nikël, Tiranë, Durrës, e Vlorë. Kontrolle u bënë edhe në bazat e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe, tashmë dy vjet i zhdukur. Në krye të këtij megaoperacioni është vendosur vetë kreu i SPAK Altin Dumani, që besohet se do të dalë të tregojë se çfarë është bërë zyrtarisht.
Lajmi kryesor:
SPAK godet klanet kriminale, 43 urdhër arreste! Mes tyre për vëllezërit Duka, Avdylaj, Bami e Lul Berisha, ish drejtori i policisë Lezhë! Në kërkim ish-deputeti i PS, Arben Ndoka! (VIDEO)
B.K/ReportTv.al