Ekspozohen për herë të parë dorëshkrimet e Kadaresë, 44 488 faqe shpalosen në Bibliotekën e Kryeministrisë! Krijime që prej moshën 11-vjeçare

15 Nëntor, 09:40| Përditesimi: 15 Nëntor, 15:38

  • Share

Tirane- Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë janë shfaqur mbrëmjen e djeshme (14 tetor)  për herë të parë për publikun në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë.

Këto dorëshkrime janë ekspozuar në formën e një instalacioni poliedrik, në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

Ekspozita shpalos dorëshkrimet e shkrimtarit shqiptar bashkëkohor më të njohur në botë, Ismail Kadaresë me 44 488 faqe, ku përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë një jetë krijimi që në moshën 11-vjeçare dhe deri në fund të jetës.

Vajza e Kadaresë Besiana Kadare shprehu mirënjohjen për DPA dhe COD që organizuan ekspozitën në vijim të dhurimit që familja Kadare bëri të këtyre dorëshkrimeve.

“Ndjesi e re t’i shoh këtu pasi jam mësuar t’i shoh nëpër kartona e nëpër dollape. Mundësi që t’i kenë brezat e ardhshme, pasi është si kronikë e rrugëtimit të kombit shqiptar”, u shreh ajo ndërsa ndau një poezi me të pranishmit që e cilësoi si një testament të shkruar herët.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, drejtori i së cilës, Ardit Bido u shpreh se Ismail Kadare ishte një shkrimtar që gjithë veprën e tij ngre lart shqiptarinë.

Ai tha se këto dorëshkrime do të hyjnë në procesin e restaurimit.

“Sapo i morëm këto dokumente ne i dixhitalizuam, brenda një jave, në mënyrë që të garantojmë paprekshmërinë e tyre të mëtejshme. Pas këtij momenti do të hyjmë në procesin e përpunimit tekniko-shkencor, do të hyjmë në procesin e restaurimit e atyre dokumenteve që kanë nevojë të restaurohen”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido.

Hapja e ekspozitës u zhvillua në praninë e shumë dashamirësve të shkrimtarit të njohur botërisht, Ismail Kadare, familjarëve të tij por edhe autoriteteve shtetërore.

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?