Foto ilustruese

4.4% e individëve kanë gati 60% të vlerës së depozitave në vend! 900 mijë llogari në banka janë bosh

14 Prill 2023, 07:52| Përditesimi: 14 Prill 2023, 07:55

  • Share

Kursimet në banka vijuan rritjen në vitin 2022, por pjesa më e madhe e tyre zotërohen nga pak individë, ndërsa një e treta e llogarive, që individët kanë hapur nëpër banka, kanë maksimumi 100 lekë.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të depozitave (ASD), në fund të vitit 2022, Vetëm për individët, depozitat e sigurueshme ishin 1.16 trilionë lekë (9.8 miliardë euro), ose gati 82% e totalit të depozitave të sigurueshme në vend. Depozitat e sigurueshme, sipas ASD-së përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme.

Por, nëse shikojmë ndarjen sipas numrit të kursimtarëve rezulton se depozitat zotërohen në pjesën më të madhe të tyre nga një numër i vogël individësh, teksa ka shumë llogari që janë bosh, dmth kanë më pak se 100 lekë.

Sipas ASD-së, në total janë rreth 2.6 milionë (2,598,908) depozitues individë, që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave deri në fund të vitit 2022.  Nga këta, rreth 900 mijë (900,343) depozitues, ose 34.7% e totalit kanë një balancë në llogaritë e tyre prej zero deri në 100 lek (minimumi ligjor për kompensim).

1.53 milionë (1,538,767) depozitues të tjerë  i kanë i kanë depozitat deri në nivelin maksimal ligjor të mbulimit dhe përfitojnë mbulim të plotë nga skema e sigurimit të depozitave, pra kanë më pak se 2.5 milionë lekë në llogaritë e tyre në banka. Shuma e depozitave që u korrespondon këtyre depozituesve arriti vlerën 480.8 miliardë lekë në fund të vitit 2022. Individët që kanë në banka midis 100 deri në 2.5 milionë lekë përbëjnë 60% të totalit të numrit të depozituesve, por kanë vetëm 41.% të shumës së depozituar nga individët në banka.

Depozituesit e mëdhenj janë të paktë në numër, por kanë shuma të mëdha në banka. Sipas ASD-së, ishin 114,798 individë, që kishin depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2022. Sipas numrit të llogarive, ata përbëjnë vetëm 4.4% të totalit të depozituesve. Por, këta 115 mijë individë zotërojnë 680.8 miliardë lekë, ose 59% të totalit të depozitave të sigurueshme të individëve.

Në total, sipas ASD-së, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1.42 trilionë lekë (12 miliardë euro), duke përfaqësuar 94% të totalit të depozitave. Krahasuar me një vit më parë këto depozita u rritën me 5%, ndërsa rritja në vlerë absolute është 67.8 miliardë lekë.

ASD thekson se Numri total i depozituesve është përcaktuar duke mbledhur të dhënat e agreguara të raportuara nga çdo bankë, kështu që një person i cili ka depozita në disa banka është regjistruar disa herë./Monitor

Burimi: ASD, përpunime të Monitor

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?