TIRANË-Korrupsioni në radhët e Policisë së Shtetit vazhdon të mbetet në kuota të larta, pavarësisht se në vitin 2020 numri i atyre që janë arrestuar, jo vetëm për korrupsion por edhe shpërdorim detyre, është më i ulët se në vitin 2019. Në një raport të publikuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, pranë Ministrisë së Brendshme, thuhet se niveli i ankesave të qytetarëve për shpërdorim detyre është më i lartë.
45 punonjës policie janë arrestuar gjatë vitit të kaluar, të akuzuar për korrupsion dhe për shpërdorim detyre. Gjatë hetimeve të kryera nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, ata kanë rezultuar të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme, duke mos organizuar detyrën siç duhet dhe madje duke abuzuar me të. Por 2020-a ka regjistruar me numër më të ulët të efektivëve të arrestuar, në krahasim me vitin paraardhës, kur janë prangosur 63.
TË ARRESTUAR
2020 – 45 punonjës policie
2019 – 63 punonjës policie
Në total në vitin 2020 janë 101 procedime penale të regjistruara, sërish më pak se në vitin 2019, kur janë regjistruar 141 të tilla. Viti i kaluar ka shënuar numër më të ulët edhe të efektivëve që janë proceduar, 171 nga 287 që janë proceduar në 2019-ën. Shqetësim vijon të mbetet përfshirja në korrupsion dhe shpërdorim detyre të drejtuesve të nivelit të parë në polici, 66 prej të cilëve janë proceduar në 2020-ën dhe 87 në vitin 2019.
Procedimet penale të efektivëve të nivelit zbatues janë sa gjysma e atyre të 2019, dhe në këtë ulje shifrash duket se ka pasur ndikim pandemia dhe mbyllja për disa muaj.
PROCEDIME PENALE
2020 – 101 procedime penale 2019 – 141 procedime penale
2020 – 171 efektivë të proceduar 2019 – 287 efektivë të proceduar
2020 – 66 drejtues të parë 2019 – 87 drejtues të parë
2020 – 104 nivel zbatues 2019 – 197 nivel zbatues
Në dallim nga numri shumë i ulët i ankesave për efektivë që favorizojnë kultivimin e kanabisit, përsa i përket korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pranë SHÇBA-së kanë mbërritur përkatësisht 22 dhe 110 ankesa.
ANKESAT E QYTETARËVE
22 – Ankesa për korrupsion
110 – Ankesa për shpërdorim detyre
Sipas të dhënave të SHÇBA, shpërdorimi i detyrës ka konsistuar kryesisht në vendosje të gjobave abuzive apo rasteve të ryshfeteve.
Nga i numëruan këta 87 drejtues të parë?!! 24 janë gjithsej!!
Përgjigju