'Të dhurosh gjak , të dhurosh jetë! A ka ndjesi më të bukur?!'
Luljeta Hidi dhuron gjak që prej vitit 2004. Edhe ky 14 Qershor e gjen atë duke bërë të njëjtën gjë. Nxitjen fillestare e ka marrë nga një rast personal.
“Unë kam që nga viti 2004 që dhuroj 2 herë në vit rregullisht . E kam filluar nga një histori talasemie, një shoqe të djalit tim që e kisha në klasë e më pas kam vazhduar rregullisht dhurimin e gjakut”.- u shpreh ajo.
Shqipëria ka 600 persona që vuajnë nga sëmundje të gjakut të cilët që fëmijë kanë nevojë të furnizohen vazhdimisht me gjak. Blerta Ndrekaj, koordinatore Kombëtare e dhurimit të gjakut pranë Kryqit të Kuq Shqiptar thotë se dhurimet vullnetare plotësojnë vetëm 25% të nevojave.
Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë Armanda Begaj, së bashku me stafin, vijuan traditën e dhurimit të gjakut në këtë institucion.
Personeli i drejtorisë se shëndetit parësor në Lushnje si dhe qytetarë të tjerë dhuruan gjak për nevojat e bankës se gjakut. Banka rajonale Lushnjë është ne vështirësi pasi pranë saj trajtohen me transfuzion të sëmurët talasemikë nga e gjithë zona e jugut.
Në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, mjekët që trajtojnë fëmijët talasemikë, si dhe mjekët e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, apeluan të gjithë qytetarët, për të rritur ndërgjegjësimin për dhurimin vullnetar në ndihmë të fëmijëve talasemikë.