Ekonomi

4.6 mld euro qarkulluan jashtë bankave, 13% më shumë se viti i kaluar! Qeveria: Brenda 2028 bllokojmë pagesat në dorë

29 Shtator, 19:13| Përditesimi: 29 Shtator, 19:19

  • Share

Gati 4.6 miliardë euro po qarkullojnë jashtë sistemit bankar, shifra më e lartë e regjistruar deri më tani e përdorimit të cash në ekonomi. Për të kufizuar këtë fenomen që hap shumë shtigje për evazion fiskal, qeveria parashikon që brenda 2028-ës çdo transaksion të jetë elektronik.

***

Lufta me paranë ‘cash’ është humbur, teksa ‘disfata’ e institucioneve regjistroi një rekord të ri në muajin gusht.

Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se jashtë bankave në kulmin e sezonit veror qarkulluan më shumë se 4.6 miliardë euro, afro 598 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kjo rritje e fortë në gusht, është stimuluar edhe nga shpenzimet e shtuara për pushime, pasi është muaj kur arrin ‘pikun’ edhe turizmi.

Referuar statistikave të bankës, brenda një dekade qarkullimi i parasë cash është dyfishuar, ndërsa në krahasim me vitin 2002 kur është raportimi i parë i bankës për këtë fenomen, është 3-fish më shumë.

Por cilat janë pasojat negative të këtij fenomeni?

Lëvizja e lartë e parave në dorë, ku me cash mund të blesh nga marketet e lagjeve deri tek mallrat e luksit, ka kosto të shumta për ekonominë pasi rrit hapësirat për informalitet, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave, e nga ana tjetër dëmton pasi vijon të jenë prezente bilancet e dyta të bizneseve që operojnë kryesisht me ‘lekë në dorë’.

PASOJAT NEGATIVE TË CASH-IT NË EKONOMI
Mungon gjurmimi i qarkullimit të parasë
Stimulohet evazioni fiskal/informaliteti
Ulë përfitimet për buxhetin e shtetit
Hap shtigje për pastrimin e parasë
Frenon zhvillimin real të ekonomisë

Për shkak të këtyre pasojave negative, qeveria planifikon t’i ‘bllokojë’ pagesat me para në dorë brenda vitit 2028.

“Zbatojmë Programin Kombëtar “Cashless Albania 2028”, për ta shndërruar vendin në një ekonomi plotësisht digjitale, ku çdo transaksion është pa cash, më i shpejtë dhe më transparent”, thuhet në programin qeverisës në këtë mandat të katërt të socialistëve.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?