Rreth 465 mijë banorë tanë të moshave 15-64 vjeç as punonin e as kërkonin punë në fund të vitit 2023. Kështu rezultoi nga ekstrapolimi i përafërt i rezultateve të anketës periodike të punës që zhvillon INSTAT-i. Në fund të vitit 2021 (kur po mbyllej pandemia Covid-19), kjo shifër ishte në nivelin 630 mijë – pra kemi një ulje prej 26%.
Por sidoqoftë, shifra 465 mijë mbetet e lartë. Sidomos po të kihen parasysh shifrat e hyrjeve të shtetasve me pasaportë të huaj në dymujorin e parë të këtij viti – pothuaj 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikisht, këtë sezon turistik, mund të presim një cunam hyrjesh së shtetasve me pasaporta të huaja apo me targa të huaja automjetesh.
Nga një analizë e hollësishme e të gjithë përmendjeve në internet të fjalëve “Albania”, “Shqipëri”, “turism”, dhe “turizëm”, që bëra me ndihmën e specialistit tim IT, rezultoi një rritje 64% e përmendjeve!
Për t’i paraprirë cunamit turistik, qeveria dhe bizneset e lidhura drejtpërdrejt me turizmin duhet të bashkëpunojnë urgjentisht për ofrimin e paketave stimuluese të punësimit. Me paketa novatore, një pjesë e 465 mijëve (të grup moshës 15-64 vjeç), që as punojnë e as kërkojnë punë, mund të joshen t’i bashkohen 1.35 milionë shqiptarëve që punojnë aktualisht.
SHËNIM: Rritja galopante e hyrjes së shtetasve me pasaporta të huaja dhe me targa të huaja do të krijojë edhe një cunam në rrugët e Shqipërisë. Prandaj duhet edhe një rritje urgjente e kapaciteteve njerzore dhe teknologjike të Policisë Rrugore. Shifrat nuk gënjejnë – cunami po vjen në rrugët, hotelet, restorantet dhe kafenetë e Shqipërisë…