Ekonomi
Drejt Punës

48% e të punësuarve në vend paguhen deri në 600 euro në muaj! Ndërtimi, bujqësia, industria e turizmi, pagat më të ulëta

14 Qershor, 15:27| Përditesimi: 14 Qershor, 15:39

  • Share

Paga mesatare në Shqipëri zbret në 822 euro, 48% e të punësuarve paguhen deri në 600 euro/muaj

Staf nuk kanë por as paga nuk japin për të ‘joshur’ punonjësit. Pagat në sektorin privat në vend kanë mbetur në vendnumëro, madje në raport me tremujorin e fundit të 2024-ës paga mesatare në privat u ul nga 760 euro në 750 euro.

Kurse mesatarja e pagave në shtet e në privat, përllogaritet në 822 euro nga 835 euro që ishte në fund të vitit të shkuar. INSTAT këtë e justifikon me faktin se çdo fundvit paga rezulton më e lartë për shkak të shpërblimeve që marrin punonjësit.

I vetmi sektor privat që rezulton se ka rritur pagën mesatare në tre muajt e parë të vitit është ndërtimi, nga 670 euro në fund të 2024-ës në 682 euro në fund të muajt mars. Ndërsa të gjithë sektorët e tjerë raportojnë ulje të pagës mesatare në krahasim me fundin e vitit të shkuar.

Kurse në raport me të njëjtën periudhë janar-mars 2024, pagat rezultojnë të rritura. Profesionet më të mirëpaguara mbeten ato të fushës së aktiviteteve financiare dhe sigurimit, informacioni e komunikacioni.

Por, të dhënat e INSTAT nxjerrin në pah edhe pabarazinë e theksuar mes sektorëve të ekonomisë, ku biznesi me numrin më të madh të punonjësve ka paga më të ulëta se mesatarja kombëtare.

Kështu, bujqësia mbetet sektori më i nënpaguar, ku paga mesatare e punonjësve përllogaritet në 545 euro, ndjekur nga sektori i tregtisë, transportit dhe turizmit me një mesatare prej 675 euro. Më pas vjen ndërtimi me 682 euro dhe industria me rrogë mesatare 684 euro.

Pavarësisht aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave nga bizneset apo rritjes së tyre të detyruar nga mungesa e punonjësve, shifrat e INSTAT, tregojnë se pjesa më e madhe e punonjësve nuk e arrijnë pagën mesatare as të përgjithshme dhe as mesataren e sektorit privat. 48% e të punësuarve, - thotë INSTAT - paguhen deri në 600 euro. Më pas, 25.4% marrin paga nga mbi 600 deri në 950 euro dhe pjesa tjetër 26.5% paguhen mbi 950 euro.

SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?