Laboratori i kokainës në Frakull të Fierit, zbulohet si u arratis kolumbiani ditën e operacionit! Grupi kriminal qëlloi në drejtim të agjentëve civilë

11 Mars 2023, 10:02| Përditesimi: 11 Mars 2023, 15:40

  • Share

Në operacionin  e rreth 4 muajve më parë në Frakull të Fierit, ku u zbulua laboratori i kokainës në banesën e Viktor Çervanakut dhe u sekuestruar 485.5 kg kokainë në 400 thasë me pleh kimik, ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë. Burime bëjnë me dije, se agjentët civil janë zbuluar nga grupi kriminal, ku bënte pjesë ish-kryekomunari Viktor Çervanaki, vëllai dhe djali i tij.

Në këto rrethana, duke qenë mes rrezikimit të jetës së efektivëve dhe shanseve që operacioni të dështonte, pas 15 minutash, është vendosur ndërhyrja e forcave operacionale, duke çuar në prangosjen e disa personave. Në të njëjtën ditë, kimisti kolumbian Zamir Rodrigez, ka arritur të arratiset nga fshati, teksa një patrullë rrugore ka tentuar ta ndalojë në Lushnje. Ai nuk i është bindur, duke marrë drejtimin për Durrës dhe pas disa minutash është sinjalizuar në Vorë për herë të fundit. Në këtë zonë, ai është futur nëpër rrugë rurale dhe të pyllëzuara duke shpëtuar përfundimisht nga sytë e shërbimeve që e kishin nën monitorim, dhe dyshohet që në mënyrë të paligjshme të ketë dalë jashtë territorit shqiptar.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka nisur letër-porosi në Mal të Zi, shtet ku edhe në koordinim me DEA-an amerikane nisi mbikëqyrja e lëvizjes së plehut kimik nga autoritetet shqiptare, ku fshihej mbi 485 kg kokainë, si dhe Kolumbisë, ku është edhe vendnisja e ngarkesës. Asnjëri prej këtyre shteteve nuk ka kthyer përgjigje deri më sot.

Report Tv më herët ka publikuar edhe dosjen e Prokurorisë së Posaçme të paraqitur në gjykatë për caktimin e masave te sigurisë për 10 të të arrestuarit, ku është zbardhur roli i secilit prej tyre shoqëruar edhe me përgjime ambientale dhe telefonike. Nikolin Gjolena, i njohur Niko Lushnjari, cilësohet si personi kyç i trafikimit të kokainës nga Kolumbia në Frakull të madhe të Fierit. Aktualisht 10 të arrestuarit janë ne qeli me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili është ankimuar  nga avokatët me pretendimin se të arrestuarit nuk kanë lidhje me këtë trafik.

Laboratori i drogës në Fier u zbulua pasditen e 24 nëntorit , ku u sekuestrua edhe 485.5 kg kokainë, që nëse do të dilte në treg do të kushtonte 40 mln euro. Laboratori u zbulua, përmes një operacioni të DEA-s Amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik u porosit nga vëllai i ish-kryekomunarit të Frakullës, Viktor Çervanaku. Droga  u nis nga Kolumbia në maj dhe mbërriti në Shqipëri me kamion nga Mali i Zi në shtator. Në pranga ka rënë Zenel Çervenaku bashkë me 9 të tjerë, të akuzuar për “grup të strukturuar kriminal”, e ndërsa 1 tjetër është në kërkim. Për laboratorin e kokainës u arrestuan, Viktor Çervenaku, Zenel Çervenaku, Denilson Çervinaku, Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni, Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi, Marildo Rona. 

Në burg apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për të lënë në burg 5 personat e akuzuar për laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, Bledar Matoshin, Redion Meshin, Julian Malajn, Enxhi Ferhatin dhe Klajdi Vrionin (Kodrën).

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?