Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën për ndryshimin e masës së sigurisë për Selim Çekaj, 72-vjeçari ku në kontejnerin që kishte porositur me banane u gjetën 49 kg kokainë, në Portin e Durrësit. Zhvillimi i seancës së sotme është shoqëruar me incidente ku avokati mbrojtës Maks Haxhia ka hedhur akuza se gjyqtarët e çështjes po shkelin të gjitha procedurat duke mbajtur në burg Selim Çekajn, ndërkohë që vetë prokurori i çështjes kërkon lirimin e tij, pasi nuk ka prova që të jetë përfshirë në trafikun e drogës. Haxhia akuzon se gjyqtarët e kanë personale çështjen me familjen Çekja dhe se nuk do të japin gjykim të paanshëm.
Avokati Maks Haxhia ka braktisur seancën, pasi nuk ishte dakord që gjyqtari Dhimitër Lara të gjykonte çështjen e Selim Çekaj. Haxhia kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Dhimitër Lara pasi pretendon se i njëjti gjyqtar ka gjykuar të birin e Selimit, Arbër Çekaj dhe ka shkelur të gjitha procedurat gjatë asaj seance dhe se nuk beson se edhe në gjykimin e Selim Çekaj do të jap një gjykim të drejtë. Gjyqtari nuk është tërhequr nga seanca dhe e ka vijuar atë, por kjo ka sjellë largimin e palës mbrojtëse të Selim Çekajt nga seanca. Gjyqi ka vijuar, ku gjyqtari Lara ka vendosur që më 27 gusht në orën 09:00 të mbahej seanca e radhës.
"Seanca e sotme nuk dështoi por pati një reagim nga ana jonë ku pasi u njohëm më gjyqtarët ku do e gjykonte Dhimitër Lara, kërkuam që ai të jepte dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështje pasi ai në gjykimin e çështjes së Arbër Çekaj, i biri i Selim Çekaj ka shkelur rëndë të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me një proces të rregullt gjyqësor. Si gjithmonë çudirat në këtë gjykatë nuk kanë të sosur gjyqtari thotë të vazhdojmë gjykimin, ne nuk mund të pranonin të ishim një formalitet në seancën gjyqësore pasi kur kërkohet largimi i gjyqtarit ndërprite seanca dhe vendoset një gjyqtar tjetër. Për këtë arsye ne u larguam nga seanca, por ajo vazhdoi vetëm në parni të prokurori,. Ata janë lënë datën 27 ora 09:00 për seancën e radhës. Nuk dua të paragjykoj gjyqtarin, por nuk kemi vesimin se ai do e gjykojë drejtë këtë çështje. ne kishim argumente se shkeljet e këtij gjyqtari në seancë e Arbën Çekaj dhe për këtë mund të kërkonin largimin e tij. Edhe prokurori përsëri ka kërkuar të lirohet Selim Çekaj. Që nga 28 qershori deri më 8 gusht Selim Çekaj qëndron në 'arrest me burg' pa masë, pasi ka rënë afati i saj dhe ky është skandal që vetëm në Shqipëri ndodh", tha Haxhia.
Selim Çekaj iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Apelit pas refuzimit të Shkallës së Parë për të dhënë një masë më të butë arresti. Rasti i babait të Arbër Çekaj është i veçantë në këtë fazë ku ndodhen hetimet, pasi pavarësisht vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta lënë në burg, në të njëjtin mendim që në datën 7 gusht nuk ishte SPAK-u. Prokuroria e Posaçme, e përfaqësuar nga prokurori Behar Dibra i kërkoi gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest në burg" në "arrest shtëpie", pasi sipas SPAK nuk ka asnjë provë se plaku 72 vjeç të jetë i përfshirë në trafik të drogës. Vetë Selim Çekaj edhe këtë seancë nuk ishte i pranishëm fizikisht, pasi prej javësh ndodhet në spital.
Selim Çekaj është babai i Arbën Çekaj, i cili është i dënuar me 14 vite burg pasi para 3 vitesh u kap me 613 kokainë në magazinat e kompanisë së tij të bananeve 'Arbri Garden' në Maminas po brenda një kontejneri. Në të njëjtën skemë u kap edhe Selim Çekaj, ku në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij EcoalMax nga Ekuadori policia zbuloi të fshehur 49 kg kokainë. Kontejneri i Selim Çekajt ishte nën vëzhgim prej 1 muaji dhe se kokaina ishte e ndarë në 31 pako e vendosur në shtyllat anësore të kontejnerit me banane, ndryshe nga sasia prej 613 kg kokainë që u kap i biri i 72-vjeçarit, Arbër Çekaj, që kishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.