TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka ndryshuar masën e sigurisë për Selim Çekaj, 72-vjeçari ku në kontejnerin që kishte porositur me banane u gjetën 49 kg kokainë, në Portin e Durrësit, duke e lënë në burg. Vendimi u mor në seancën e zhvilluar ditën e sotme, pasi ishte shtyrë më herët nga ana e gjyqtarit, ku nuk munguan as incidentet. Avokati mbrojtës Maks Haxhia hodhi akuza se gjyqtarët e çështjes po shkelin të gjitha procedurat duke mbajtur në burg Selim Çekajn, ndërkohë që vetë prokurori i çështjes kërkoi lirimin e tij, pasi nuk ka prova që të jetë përfshirë në trafikun e drogës. Haxhia akuzoi se gjyqtarët e kanë personale çështjen me familjen Çekja dhe se nuk do të japin gjykim të paanshëm.
Selim Çekaj iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Apelit pas refuzimit të Shkallës së Parë për të dhënë një masë më të butë arresti. Rasti i babait të Arbër Çekaj është i veçantë në këtë fazë ku ndodhen hetimet, pasi pavarësisht vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta lënë në burg, në të njëjtin mendim që në datën 7 gusht nuk ishte SPAK-u. Prokuroria e Posaçme, e përfaqësuar nga prokurori Behar Dibra i kërkoi gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest në burg" në "arrest shtëpie", pasi sipas SPAK nuk ka asnjë provë se 72 vjeçari të jetë i përfshirë në trafik të drogës.
Selim Çekaj është babai i Arbën Çekaj, i cili është i dënuar me 14 vite burg pasi para 3 vitesh u kap me 613 kokainë në magazinat e kompanisë së tij të bananeve 'Arbri Garden' në Maminas po brenda një kontejneri. Në të njëjtën skemë u kap edhe Selim Çekaj, ku në kontejnerin ku ai priste bananet e porositura me firmën e tij EcoalMax nga Ekuadori policia zbuloi të fshehur 49 kg kokainë. Kontejneri i Selim Çekajt ishte nën vëzhgim prej 1 muaji dhe se kokaina ishte e ndarë në 31 pako e vendosur në shtyllat anësore të kontejnerit me banane, ndryshe nga sasia prej 613 kg kokainë që u kap i biri i 72-vjeçarit, Arbër Çekaj, që kishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.