Spitali Infektiv dhe Artan Borici

Kronikë

Më shumë të shëruar se të infektuar! 449 raste të reja dhe 8 viktima nga COVID, humb betejën profesori i njohur Artan Boriçi

26 Mars 2021, 18:18| Përditesimi: 26 Mars 2021, 19:15

  • Share

449 raste të reja dhe 8 humbje jete janë regjistruar në vendin tonë si pasojë e COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Mes viktimave është edhe një pacient 35 vjeçar dhe fizikani i njohur, profesori i talentuar i Universitetit të Tiranës, akademiku i asociuar Artan Borici.

"Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 8 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 2 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Fier, 1 qytetar nga Tepelena, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qyetetar nga Korça, të moshave 35-74 vjeç", thotë ministria.

Në 24 orët e fundit janë kryer 3012 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 449 qytetarë. 

"Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 132 raste në Tiranë, 36 raste në Korçë, 24 raste në Durrës, 21 raste në Berat, 20 raste në Shkodër, 17 raste në Fier, 14 raste në Elbasan, 13 raste në Gjirokastër, 11 raste në Devoll, 10 raste në Kurbin, Pogradec, Gramsh, 9 raste në Malësi e Madhe, 8 raste në Kavajë, Vlorë,  Sarandë, 7 raste në Kukës, 6 raste në Krujë, Lezhë, Lushnje,  Ura Vajgurore, 5 raste në Krujë, 4 raste në Has, Librazhd, Kamëz, Tepelenë, Peqin, Dropull, 3 raste në Delvinë, Prrenjas, Kolonjë, Skrapar, 2 raste në Mirditë, Përmet, Vau i Dejës, Divjakë, Kuçovë, Vorë, Patos, Cërrik, Poliçan, Këlcyrë, 1 rast në Tropojë, Selenicë, Belsh, Dibër, Bulqizë, Libohovë". 

Në 24 orët e fundit janë shëruar 589 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 88,349 që nga fillimi i epidemisë.  Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 343 pacientë, 18 në terapi intensive, nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar.  Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së sotme janë kryer 2900 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 62,248 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Ministria ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital", tha Rama.

Statistika (26 Mars 2021) 
Raste të reja ditore       449
Të shëruar në 24 orë     589
Të shtruar në spitale      343
Humbje jete në 24 orë   8
Testime ditore               3012 

Testime totale            545,244
Raste pozitive             123,216
Raste të shëruara        88,349
Raste Aktive                 32,675
Humbje jete                  2192 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: 
Tiranë   22357
Fier     2592
Durrës    1386
Vlorë     1272
Shkodër   1217
Gjirokastër  1250
Korçë     774
Lezhë     549
Elbasan  427
Kukës     355
Dibër    322
Berat     174

Ora 08:31
Ndahet nga jeta shkencëtari i njohur, fizikani dhe profesori 56-vjeçar! Artan Boriçi humb betejën me COVID

1616782119_1616744007Screenshot1.jpg

Pas një beteje të vështirë me COVID-19, është ndarë në jeta në moshën 56-vjeçare fizikani i njohur, profesori i talentuar i Universitetit të Tiranës,  akademiku i asociuar Artan Borici, i cili ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Boriçi ka humbur betejën më virusin vdekjeprurës mbrëmjen e djeshme.

Përmes një njoftimi Akadamia e Shkencave shkruan se kjo është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës ndarja nga jeta e akad. asoc. Artan Boriçit, pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19.

"Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale. Artan Boriçi u bë anëtar i  Akademisë së Shkencave në vitin 2020. Kryesia e Akademisë së Shkencave e tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ai ushtroi veprimtarinë e tij akademike dhe universitare, brezave të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij, që i la në pikëllim.

I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.

Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010.

Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9.  Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Revieë D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.

Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërrmijave elementare. U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, i paharruari Artan Boriçi", thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave, e cila bën me dije se homazhet në nderim të Boriçit, duke respektuar masat anticovid (mbajtje maske, distancë fizike dhe shmangie grumbullimi), do të mbahen tek Libri Akademik në Akademinë e Shkencave, ditën e sotme nga ora 13.00 deri në 14.00.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?