Ambulancat te spitali COVID 1

Vijon të rritet numri i të infektuarve/ 495 raste e 8 viktima! Spitali COVID 1 në alarm! Të sëmurët në radhë për shtrim

7 Nëntor 2020, 16:05| Përditesimi: 8 Nëntor 2020, 09:40

  • Share

TIRANË- Një tjetër rekord infektimesh ka shënuar vendi ynë në 24 orët e fundit  me 495 të prekur nga koronavirusi nga 1927 testime të kryera. 

Fatkeqësisht kanë humbur jetën 8 pacientë duke e cuar në total numrin e viktimavë në 557 që prej fillimit të epidemisë.

Në tre spitalet COVID ka 352 të shtruar, 9 në terapi intensive nga të cilët 4 janë në intubim.

Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 141 qytetarë ndërsa numri i personave aktiv me COVID-19 ka shkuar mbi 11 mijë.

Ministria e Shëndetësisë bën apel për respektimin e masave.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve që janë të konfirmuar ose në pritje të përgjigjes së testit, të qëndrojne të izoluar, duke respektuar detyrimin e vetekarantinimit. Për çdo shenjë të sëmundjes duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes. Nëpërmjet linjës së gjelbër falas 0800 40 40 mund të lidheni me mjekun tuaj dhe të merrni informacionin e nevojshëm", shkruan Ministria. 

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki
253 raste në Tiranë, 28 raste në Fier, 22 raste në Elbasan dhe Mirditë,
20 raste në Lezhë, 16 raste në Korçë dhe Lushnje, 13 raste në Shkodër dhe Kavajë, 
12 raste në Durrës, 11 raste në Gjirokastër, 10 raste në Vlorë dhe Tropojë,
9 raste në Librazhd, 7 raste në Krujë, 5 raste në Përmet, Sarandë, Dibër, Devoll,
3 raste në Has, Tepelenë, Kolonjë,  2 raste në Bulqizë, 1 rast në Peqin, Pogradec.

COVID-19 – Statistika (7  Nëntor 2020)
Raste të reja ditore 495
Të shëruar ne 24 orë 141
Të shtruar në spitale 352
Humbje jete në 24 orë 8
Testime ditore 1927
Testime totale 137,172
Raste pozitive 23,705

Raste të shëruara 12,002
Raste Aktive 11,146
Humbje jete 557

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 5492
Durrës 963
Fier 905
Korçë 713
Shkodër 634
Elbasan 526
Lezhë 524
Vlorë 474
Berat 317
Kukës 266
Gjirokastër 221
Dibër 111

Ora 15:08
Spitali COVID 1 në alarm! Të sëmurët në rradhë për shtrim

Ambulanca që qendrojnë në pritje, me pacientë brenda për orë të tëra është kjo panorama që të ofrohet jashtë spitalit infektiv për disa ditë tashmë ku numri i urgje ncave dhe shtrimeve ka qenë i lartë. Numri rekord i infektimeve 489 në 24 orë po përkthehet në gjithnjë e më shumë shtrime në spitalet covid ku momentalisht janë të shtruar 350 pacientë.

Të sëmurë që hyjnë e dalin nga pavionet e infektimet. Si në asnjë ditë tjetër këtë të shtunë ambjentet jashtë këtu në spitalin COVID 1 janë populluar me pacientë e familjarë të tyre. 11 ambulanca u stacionuan brenda 2 orëve.

“Fluksi është i madhë ç’është e vërtëta por nuk e di, mami pa terezi ka qenë dje në darkë, urojmë që të bëhet mirë”-u shpreh një familjare.

Jashtë gardhit të spitalit infektiv të shumtë janë dhe familjarët që qendrojnë në pritje për të marrë informacione mbi gjendjen shëndetësore të të afërme të tyre si dhe për të komunikuar me mjekët. Po ashtu ato sjellin dhe sende personale për të shtruarit në spital.

Ka nga ato që besuan se covidin mund ta kalonin në kushte shtëpie. Por gjendja e të sëmurit është përkeqesuar dhe natën udhëtuan drejt spitalit covid.

“Ja ashtu, kam të shtruar plakun. Kishte një javë a 10 ditë i infektuar, nuk mbushej dot fare me oksigjen u bllokua edhe mbrëmë e sollëm me ambulancë”- tha një familjare.

Kurse kjo grua ka ardhur nga Berati dhe pret jashtë për ecurinë e shendetit të burrit të saj. Ushqim për vete ajo mund të marrë vetëm me ndonjë kioskë sepse në Tiranë nuk ka familjarë të tjerë.

“Kam burrin e shtruar, sot në mëngjes e solla, është në urgjencë. Nuk kam folur fare, vetëm kaq më ka thenë më morën gjak në dorë, edhe kaq. Kishte ulje të oksigjenit, temperaturën 37 e gjysëm e kishte. Jemi nga Berati”-tregoi një familjare.

Tirana është zona më e rrezikshme që ka dhe numrin më të lartë të infektimeve, 5315 të prekur, ndaj dhe numri më i madh i të shtruarve vjen pikërisht nga kryeqyteti.

Me këtë valë infektimesh qytetarët i druhen kufizimeve, ashtu sic po ndodhë në shumë vende të Europës.

Ora 12:04
Infektohet me COVID drejtori i Njësisë të Kujdesit Shëndetësor Elbasan! 3 mësues dhe 1 edukatore në Korçë rezultojnë pozitivë

Infektohet me koronavirus drejtori i Njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Elbasan.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ai është vetëkarantinuar në banesën e tij dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Pritet që dhe familja e tij të marrë tampone. Një pjesë e stafit është vetëkarantinuar ndërsa pjesa tjetër vijon punën.

Ndërkohë në qytetin e Korçës infektohen 3 mësues dhe një edukatore.

Ata japin mësim në shkolla të ndryshme të qytetit.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?