Perime

 4-mujori, eksporti i zarzavateve në vendnumëro, sezoni i mbarë nuk stimuloi prodhimin

29 Maj 2023, 07:10| Përditesimi: 29 Maj 2023, 07:13

  • Share

Dimri i ngrohtë mundësoi prodhim pa ndërprerje të kastravecit, teksa domatja doli në treg gati një muaj më shpejt.

Por këto favore nuk janë shndërruar në volume më të mëdha të prodhimit dhe eksportit. Të dhënat për tregtinë e jashtme në 4-mujorin e parë të vitit referojnë se eksportet e zarzavateve që përfaqësojnë prodhimin në sera janë rritur me vetëm 1 për qind në sasi.

Eksportet e zarzavateve në sasi, që janë edhe grupi më i madh në totalin e ushqimeve që shiten jashtë vendit qëndruan në vendnumëro. Ky grup pësoi rritje të shpejtë gjatë dekadës së fundit, i nxitur nga investimet në zinxhirët e furnizimit dhe nga zgjerimi i sipërfaqes së serave.

Pjesa më e madhe e eksporteve të zarzavateve përfaqësohet nga domatja, e cila këtë vit po prezantohet edhe në tregjet italiane. Prodhuesit në bashkinë e Dimalit një nga zonat me densitetin më të madh te serave në vend pohuan se prodhimi për ata që kanë mbjellë ka qenë i mbarë këtë vit, por investimet janë reduktuar dy vitet e fundit nga rritja e kostove të inputeve, rritja e barrës fiskale dhe shpopullimi i fshatit.

Megjithëse kërkesa dhe çmimet e importit janë rritur dy vitet e fundit duke zgjeruar mundësitë për rritjen e të ardhurave, kjo nuk e ka nxitur rritjen e eksportit në sasi. Në 4-mujorin e parë eksportet e zarzavateve arritën vlerën e 33 milionë euro me një rritje 17 për qind si pasojë e çmimeve më të larta në tregjet e eksportit. Por fermerët në zonat prodhuese pohojnë se ata nuk po fitojnë nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Një kilogram domate e prodhuar nga fermerët në sera shitet tek eksportuesit me 70 lekë për kilogram për cilësinë më të mirë, ndërsa sipas kategorive çmimet janë për 40-70 lekë për kilogram.

Fermerët pohojnë se nga çmimet më të larta në tregjet ndërkombëtare po përfitojnë më shumë eksportuesit se sa prodhuesit një problem i vjetër ky.

Fermerët shqiptare, sidomos prodhuesit, ndryshe nga Rajoni dhe Europa, mbajnë të gjithë humbjet që vijnë nga luhatjet e tregjeve. Në Shqipëri mungojnë mekanizmat e mbështetjes për bujqësinë dhe sidomos për prodhuesit, të cilët janë të ekspozuar totalisht ndaj kushteve të motit, rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe kërkesave nga tregu.

Në Europë dhe vendet në zhvillim prodhuesit bujqësorë janë të mbrojtur nga prirjet dhe ndryshimet në tregje, për shkak të vështirësive që përballen dhe rëndësisë që ka puna e tyre dhe produktet që nxjerrin për shoqërinë./Monitor

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?