Pas 5 ditësh emergjence mjedisore që shkaktoi tymi toksik i djegies së mbeturinave në landfill, situata në qytetin e Fierit ka marrë sot zgjidhje. Bëhet me dije se po bëhet transportimi i plehrave të mbetura drejt incerenatorit, ndërsa me pastrimin e mbeturinave në këtë fushë nuk do të ketë më asnjë gjurmë rreziku për shëndetin e qytetarëve të Fierit.
Kamionët e bashkisë për pastrimin e qytetit, por edhe disa mjete nga vetë firma e inceneratorit kanë nisur punën gatë pasdites së sotme duke ngarkuar plehrat dhe duke i dërguar drejt inceneratorit. Puna do të vijojë deri në pastrimin e plotë të fushës së mbeturinave ku për 70 vite ishte kthyer në një gangrenë për qytetin, ndërsa më pas do të mbulohet me dhe, në mënyrë që në tetor të nis puna me mbjelljen e 5000-7000 pemëve për ta kthyer atë në një park të vogël.
Djegia e mbeturinave në këtë fushë vijoi prej 5 ditësh ku për banorët dhe ambientalistët ky rast ka qenë një rrezik ekstrem pasi me djegien e plastikës prodhohen disa nga helmet më të rrezikshme në planet siç janë dioksina dhe furana, të cilat janë kancerogjene.