Dje, Kosova votoi për zgjedhjet e pushtetit lokal, ose siç përcaktohet në Kushtetutën e Kosovës, për 38 komuna.
Zgjedhjet komunale u paramenduan si çelsi i zgjidhjes së krizës politike, në varësi kjo të rezultatit që do të arrinte VV apo opozita.
Kjo mund ti paraprinte zgjedhjeve të parakoheshme për ta nxjerr Kosovën nga paraliza historike e një jete parlamentare e cila ka 9 muaj nuk funksionon.
Raundi i parë tregoi se nuk ka fitues të qartë, por ja pesë mënyrat se si zgjedhjet lokale në Kosovë ndryshojnë nga ato në Shqipëri:
1. Sistemi i balotazhit
Kosova ka sistem balotazhi: askush nuk shpallet fitues nëse nuk kalon 50% + 1 votë.
Për këtë arsye, shumica e komunave do të zhvillojnë raundin e dytë.
Në Shqipëri, mjafton që kandidati i parë të ketë një votë më shumë se tjetri për t’u shpallur fitues. Teorikisht në Shqipëri mund të ndodhë që nëse garojnë 10 kandidatë, fituesi mund të shpallet edhe me 11% të votave mjafton të jetë i pari mbi të tjerët që marrin poshtë 10%.
2. Pluralizmi politik
Kosova ka një pluralizëm politik shumë më të gjerë se Shqipëria.
Rezultatet e para tregojnë një shpërndarje të madhe të votave:
• LVV – 3 komuna
• LDK – 3 komuna
• PDK – 2 komuna
• AAK – 1 komunë
• Nisma – 1 komunë
• Lista Serbe – 8 komuna
Ndërsa në Shqipëri, prej 35 vitesh gara politike është e mbyllur mes PS dhe PD, pa asnjë fitues tjetër të rëndësishëm.
3. Fati i partive të reja
Në Kosovë, partitë e reja guxojnë të garojnë me kandidatët e tyre, pavarësisht rezultatit.
Në Shqipëri, rreth 30 parti të vogla shkrihen ose bashkohen me PD-në, duke humbur identitetin politik.
Mosgarimi në zgjedhjet lokale i privon ato nga mundësia për të thyer establishmentin, qoftë edhe në zona të vogla apo periferike.
4. Vota e diasporës
Në Kosovë, emigrantët votojnë edhe në zgjedhjet lokale; ndërsa në Shqipëri, 1.8 milion shtetas jetojnë jashtë vendit pa të drejtë vote.
Në disa komuna si Malishevë, Junik, Gjakovë dhe Dragash, vota e diasporës pritet të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar.
5. Sjellja ndryshe në zgjedhje lokale dhe qendrore
Në Kosovë, qytetarët shpesh votojnë ndryshe për qeveri dhe ndryshe për komunë.
Në Shqipëri, ndodh e kundërta: kush fiton qeverinë, zakonisht fiton edhe bashkitë.
Për këtë arsye, në Shqipëri dihet paraprakisht kush do të fitojë në Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë, Fier apo Gjirokastër për shumë vite me radhë.
Kosova mbetet më pluraliste dhe më e paparashikueshme politikisht krahasuar me sistemin dy partiak të Shqipërisë.
Ndërsa në Shqipëri, zgjedhjet janë shndërruar në një garë të mbyllur, ku pjesëmarrja e ulët e votuesve është pasojë e një fati të paracaktuar politik.
Mos u çudisni nëse në zgjedhjet e ardhshme të Tiranës marrin pjesë vetëm 25% e votuesve – sepse populli nuk ka interes për një garë ku dihet paraprakisht kush do të fitojë.
Komente
