Ishtë një përballje tejet delikate, por Vllaznia ia doli të fitonte edhe në Korçë, duke mposhtur 0-1 Skënderbeun dhe duke marrë 3 pikë të rëndësishme që jo vetëm e rikthyen në vendin e dytë, por shkurtuan edhe diferencën me Egnatian kryesuese. Në Korçë ishte goli i Balajt me penallti që iu dha shkodranëve fitoren e pestë rradhazi.
“Nuk kishte shumë cinizëm sepse ne mundohemi gjithë kohës të shënojmë, por prap edhe sot mendoj se ndeshjen e fitoi loja mbrojtëse. Jemi afër, 2 pikë diferenca me Egnatian, por duhet thënë se dy vendet e para kanë përparësitë e veta. Ne gjithashtu do synojmë edhe vendin e parë,”-u shpreh Qatip Osmani, trajner i Vllaznisë.
“Unë dua ti uroj Vllaznisë shumë suksese në të ardhmen. Është një skuadër shumë e mirë ndoshta edhe skuadra kampione. Sot tregoi edhe eksperiencë. Edhe në pjesën e parë edhe në të dytën ishim mirë, por një episod vendosi dhe përcaktoi tre pikët,”-tha Ivan Gvozdenovic, trajner i Skënderbeut.
Në përballjen tjetër të së hënës mes Kukësit dhe Laçit verilindorët morën një fitore tejet të rëndësishme me shifrat minimale 1-0. Ky trepikësh e riktheu Kukësin në lojën për mbijetesë edhe pse vijon i fundit, ndërsa nga ana tjetër riktheu Laçin në zonën e rrezikut.
Ndeshja tjetër mes Dinamos dhe Teutës u shty për shkak të përmbytjeve në rrugët pranë stadiumit “Niko Dovana”, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar data se kur do rikuperohet. Kjo javë mbylli edhe fazën e tretë të Superligës, ndërsa deri në fund kanë mbetur edhe 9 ndeshje për secilin ekip. Më pas fituesi do përcaktohet me formulën e shumë diskutuar të “final-four”.