Pjesë nga nismat për hapjen e dosjeve

5 nismat për hapjen e dosjeve, çfarë parashikojnë dhe ku ndryshojnë, politika në garë kundër spiunëve pas 30 viteve pluralizëm 

30 Shtator 2022, 07:47| Përditesimi: 30 Shtator 2022, 07:58

  • Share

Si kurrë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar 5 projektligje për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit dhe pastërtinë e figurës së funksionarëve publikë, duke konfirmuar edhe një garë mes kampeve politike për të hedhur dritë mbi një errësirë që vetë politika e ka mbuluar gjatë 3 dekadave të fundit. Fillimisht, ishte Partia Socialiste që depozitoi në Kuvend dy projektligje, pas kërkesës së Autoritetit të Dosjeve për t’i hequr pengesën ligjore për verifikimin e politikanëve, kandidatëve dhe funksionarëve që kanë marrë certifikata për pastërtinë e figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani.

Socialistët u vunë në lëvizje pasi Autoriteti i Dosjeve tha se ishte zbuluar se Ilir Meta rezultonte bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, por që ligji e ndalonte për ta verifikuar, pasi Meta kishte certifikatë pastërtie nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Nga ana e tij, Meta hodhi poshtë konstatimin e Autoritetit të Dosjeve si manipulim, ndërsa kallëzoi penalisht anëtarët e Autoritetit.

Projektligji i propozuar nga PS-ja parashikon shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit për dosjet të vitit 2015, duke i hapur rrugë Autoritetit të Dosjeve të verifikojë edhe ato persona që disponojnë një certifikatë të pastërtisë së figurës. Shumica në pushtet ka depozituar në Kuvend edhe një tjetër projektligj, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke vendosur si kriter shtesë për kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë, që të paraqesin në KQZ një certifikatë të lëshuar nga Autoriteti i Dosjeve se nuk kanë pasur lidhje me ish Sigurimin e Shtetit. Ky ndryshim është pothuajse një lustracion.

Partia Demokratike me në krye Enkelejd Alibeajn ka depozituar në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, duke i deklasifikuar si sekret shtetëror. Nisma parashikon ndryshimin e ligjit të vitit 1999 për informacionin e klasifikuar, duke bërë përmbajtjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit të aksesueshme nga mediat dhe publiku.

PD-ja me në krye Enkelejd Alibeajn ka depozituar në Kuvend një tjetër projektligj për dekomunistizimin, duke parashikuar fshirjen e çdo gjurme nga periudha e komunizmit që nga emrat, muzika, filmat, lapidarët, letërsia, piktura, kompozimet, këngët etj.

Ditën e djeshme, PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha ka depozituar në Kuvend një projektligj për lustracionin, i ngjashëm me ligjin e vitit 2008 që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Nisma e Berishës parashikon që nuk mund të zgjidhen dhe emërohen në funksione publike personat që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit, hetues dhe gjyqtarë në kohën e diktaturës, ata që kanë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ministër, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, kryetarët e degëve të punëve të brendshme, personat që kanë mbaruar shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme etj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?