1- A është BE një superfuqi ushtarake?
Bashkimi Evropian, me 27 vendet anëtare, është një superfuqi në letër, e aftë të konkurrojë me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, e cila mbetet një fuqi më e dobët në krahasim me këto dy të parat, e kompensuar vetëm nga arsenali i saj bërthamor. Por pengesa kryesore e Evropës janë përçarjet e brendshme, mungesa e industrive të zhvilluara të mbrojtjes dhe strategjia ushtarake që mbetet e fragmentuar midis interesave kombëtare dhe bashkëpunimit të kufizuar, mes vendeve anëtare
2- Sa armë prodhon Ukraina?
Tre vjet pas nisjes së pushtimit rus, Ukraina ka rritur prodhimin e saj ushtarak falë ndihmës ndërkombëtare, veçanërisht nga BE. Aktualisht, Ukraina arrin të mbulojë 33-34% të nevojave të saj ushtarake, ndërsa para vitit 2022 prodhonte më pak se 10%. Më 15 janar, presidenti Zelensky deklaroi se rreth 30% e armëve të Ukrainës vijnë nga Evropa dhe 40% nga Shtetet e Bashkuara.
3- Sa do të zgjaste autonomia e Ukrainës pa ndihmën e SHBA?
Nëse Trump vendos të bllokojë përfundimisht furnizimet ushtarake për Ukrainën – pas pezullimit të përkohshëm që ka bërë – atëherë forcat e armatosura ukrainase mund të luftojnë me të njëjtin intensitet për rreth gjashtë muaj. Sipas zyrtarëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, deri në fund të verës vendi do të përballej me mungesë municionesh dhe armësh, veçanërisht për mbrojtjen kundër raketave dhe dronëve rusë.
Kontributi më i madh i SHBA-së nuk qëndron vetëm te furnizimet me armë, por edhe te inteligjenca ushtarake, raketat Patriot dhe sistemet e komunikimit satelitor si Starlink. Këto janë ato që Evropa ende nuk mund t’i ofrojë, edhe pse ushtritë e disa vendeve – si Franca, Gjermania, Britania, Polonia dhe shtetet baltike – po studiojnë fushëbetejat në Ukrainë për të përshtatur strategjitë e tyre.
4- Çfarë ndihme ushtarake ofrojnë SHBA?
Para përfundimit të mandatit të tij, Joe Biden rriti dërgesat e armëve për Ukrainën. Nëse nuk ndryshon asgjë, furnizimet amerikane do të vazhdojnë deri në fund të vitit 2025. Megjithatë, me Trump në pushtet, bllokimi i ndihmave mbetet një mundësi e hapur.
SHBA prodhon armë që BE nuk i ka ende në dispozicion. Për shembull, pjesët e këmbimit dhe municionet për tanket Bradley, të cilat janë thelbësore për mbështetjen e forcave të këmbësorisë në frontin e Donbasit. Po ashtu, raketat Himars dhe Atacms janë të pazëvendësueshme.
Një tjetër element kritik është prodhimi i predhave të artilerisë standarde të NATO-s prej 155 mm. Ukraina kërkon mbi 1.5 milion predha në vit, por industritë evropiane sapo kanë filluar të rrisin prodhimin për të përmbushur këtë nevojë.
5- Çfarë i mungon Evropës?
Sipas Armin Papperger, president i grupit të industrisë së mbrojtjes gjermane Rheinmetall, arsenalet dhe depot ushtarake evropiane mbeten bosh. Shumë armë të dërguara në Ukrainë nuk janë zëvendësuar ende, pasojat e shkurtimeve të mëdha në buxhetet e mbrojtjes pas Luftës së Ftohtë.
Eksperti ushtarak ukrainas Oleg Katkov sugjeron se Evropa mund të blejë nga SHBA armët që Trump planifikon t’ia ndalojë Ukrainës. Në Donbas, përdorimi masiv i dronëve, artilerisë dhe tankeve ka qenë i domosdoshëm për të kompensuar mungesën e trupave në front.
Sipas Politico, BE ka aftësi financiare për të zëvendësuar gradualisht SHBA-në si furnizues ushtarak. Brukseli po punon për një paketë ndihme ushtarake që tejkalon 20 miliardë euro. Gjithashtu, kancelari i ri gjerman Friedrich Merz duket i vendosur për të ndërtuar një autonomi të plotë ushtarake të BE-së nga SHBA.
Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të parë nëse Evropa është e gatshme të marrë një rol më të madh në sigurinë e saj. /Corriere Della Sera/
Komente

Keta te gjith flasin nji gjuhe demagogjike ne nji ane flitet si ti japim fund luftes nga ana tjeter si ta armatosim Ukrainen qe ta mposhte Rusine ,pra kjo nuk dote ndodhe kure Pse?Pse keta flasin vetem per interesin e vet FASHIST dhe jo per paqe ,por mund te ndodhe fundi i njerzimit.
PërgjigjuEuropa as ne WC nuk shkon pa Ameriken.
Përgjigju