Gjyqtari i Vlorës Petrit Aliaj dhe Dritan Dajti

5 raportet e rreme mjekësore të gjyqtarit që shpëtoi Dritan Dajtin, nga temperatura tek dhimbja e mesit, tentoi të shtynte shkarkimin por u ndëshkua

2 Tetor 2020, 20:02| Përditesimi: 2 Tetor 2020, 20:40

  • Share

Gjyqtari i Vlorës Petrit Aliaj, i cili ka marrë pjesë në heqjen e dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin, ka paraqitur në Komisionin e Vetingut pesë raporte të rreme mjekësore, sikur ishte sëmurë, për të shtyrë në kohë shkarkimin për fshehje dhe mos justifikim pasurie. Aliaj kërkoi shtyrjen e paraqitjes së tij në seancës dëgjimore në 3 mars 2020, duke paraqitur një raport të lëshuar nga Spitali i Vlorës, me diagnozën “gjendje febrile”, që është rritje e temperaturës mbi vlerat normale. Trupi gjykues i përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Brunilda Bekteshi e pranoi kërkesën e gjyqtarit, dhe caktoi datën 9 mars 2020 për të zhvilluar seancën dëgjimore.

Dy ditë para seancës, Petrit Aliaj ka paraqitur një tjetër raport mjekësor, lëshuar nga një spital  privat, me diagnozën “lumbago akute”, që është dhimbje mesit dhe e pjesëve të tjera të trupit. Trupi gjykues u njoh me këtë raport, e pranoi dhe shtyu seancën për në datën 11 mars 2020. Një ditë para seancës, në 10 mars 2020, Petrit Alia ka paraqitur një tjetër raport mjekësor të lëshuar nga një spital privat, me diagnozën “Hernie diskale hiperalgjike e spondiloartrozë”, me simptoma dhimbje, dobësim apo mpirje të gjymtyrëve, që vjen si rezultat i ngritjes së peshave të rënda ose  edhe nga traumat e shpinës.

Në këto rrethana, Komisioni i Vetingut vendosi të shtynte pa afat seancën dëgjimore për Petrit Aliajn si dhe të kërkonte një hetim mbi vërtetësinë e raporteve mjekësore. KPK vuri në lëvizje Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të hetuar lëshimin e raporteve. KLGJ kërkon informacion nga Gjykata e Apelit në Vlorë, nëse ishte paraqitur në punë gjyqtari Aliaj gjatë kohës kur pretendonte me raporte mjekësore se ishte sëmurë dhe madje i shtruar në spital. Gjykata e Vlorës ka konfirmuar se “gjyqtari Petrit Aliaj është paraqitur në punë në mënyrë të pandërprerë gjatë kësaj periudhe dhe ka marrë pjesë në të gjitha gjykimet, ku ka qenë relator apo anëtar i trupit gjykues”.

Procesi i Vettingut u ndërpre disa javë për shkak të Covid-19. Pas rinisjes së procesit, KPK caktoi datën 5 qershor për të zhvilluar seancën dëgjimore për Petrit Aliajn. Ditën e seancës, Aliaj paraqiti një tjetër raport mjekësor, me diagnozën “lumbago”, sërish dhimbje mesi, duke kërkuar shtyrjen e seancës arsye shëndetësore. KPK vendosi të mos e pranonte kërkesën. Në këto kushte, për të fituar kohë, gjyqtari kërkoi përjashtimin e trupit gjykues. Kjo kërkesë u rrëzua dhe komisioni caktoi datën 15 qershor 2020 për të mbajtur seancën dëgjimore.

Pikërisht në datën 15 qershor 2020, gjyqtari Petrit Aliaj paraqiti një tjetër raport mjekësor sikur ishte sëmurë, lëshuar nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Sarandë me diagnozën “angina folikulare”, pra me dhimbje fyti ose infektim të bajameve. Petrit Aliaj u shkarkua nga detyra pikërisht në 15 qershor për probleme të rënda me pasurinë.

Pallati i fshehtë

Nga hetimet, përpos të tjerave, KPK ka zbuluar edhe një pallat në emrin e babait të gjyqtarit. Komisioni ka arritur në konkluzionin se babai i gjyqtarit Petrit Aliaj nuk e justifikonte pallatin me burime të ligjshme të ardhurash. Komisioni i Vetingut prezantoi si problematike pasuri të tjera të gjyqtarit Aliaj si një truall në Delvinë, mos justifikim të shumës rreth 70 mijë euro për ndërtimin e një ndërtese tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, probleme me pasurinë e bashkëshortes dhe mos justifikim të shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve.

Karriera

Petrit Aliaj e ka nisur karrierën në drejtësi 25 vite më parë. Aliaj është shkarkuar në vitin 2004 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Por, dy vjet më vonë, Gjykata e Lartë e riktheu në detyrë. Në vitin 2015, Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive e kallëzoi penalisht gjyqtarin Aliaj për fshehje pasurie. Më 28 shator të 2015, Ministria e Drejtësisë, bazuar në dosjen e ILDKP, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin e gjyqtarit. KLD, në mbledhjen e 10 shkurtit të 2017, vendosi rrëzimin e kërkesës, ndërsa dosja e ILDKP është mbyllur nga prokuroria.

Lidhje me Balilin

Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjatë hetimit pasuror të Klement Balilit, i njohur edhe si ‘Eskobari i Balllanit’, i dënuar me 10 vjet burg për trafik droge, nxori në skenë edhe gjyqtarin Aliaj. Ky i fundit ishte paguar në vitin 2005 me 47 mijë dollarë nga vëllezërit Balili, si konsulent ligjor i tyre. Petrit Aliaj ka ende një llogari të hapur me drejtësinë, pasi ka marrë pjesë edhe në gjyqin, ku pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar atë automatikisht nga burgimi i përjetshëm. Prokuroria kërkoi pushimin e çështjes, por Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Lëvizjet e Petrit Aliaj për t’i shpëtuar shkarkimit 
 

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bledi: 03/10/2020 08:49

    Ky liroi Tan Dajtin dhe u ndeshkua. Anita Mici e durrsit liroi Lul Berishen dhe vazhdon ne pune. Veting leshi

    Përgjigju
  • Unknown: 03/10/2020 08:21

    Vetem zoti ka ngel me marr hak per shqiptaret

    Përgjigju
  • Taku: 02/10/2020 21:18

    Ky pdhm ishkarrocier ka bërë kërdinë me shitjen e blerjeve e vendimeve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?