5 skenarët për covid-19 në Shqipëri, ja çfarë e tremb qeverinë dhe faza ku ndodhemi sot

1 Prill 2020, 21:15| Përditesimi: 1 Prill 2020, 21:31

  • Share

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë hartuar një dokument me planin e masave në çdo fazë për kufizimin e përhapjes së infeksionit të shkarkuar nga virusi covid-19. Dokumenti është hartuar në kohën kur në Shqipëri nuk ishte deklaruar zyrtarisht asnjë person si i prekur nga koronavirusi. Në planin e veprimit parashikon pesë skenarët e mundshëm të përhapjes së covid-19 në Shqipëri, nga skenari zero kur në Shqipëri nuk kishte asnjë rast të konfirmuar deri tek skenari katër, sipas të cilit institucionet nuk mund t’i përballojnë më të sëmurët. Sipas këtij skenari ekstrem personeli shëndetësor do të zvogëlohej nga infektimi me covid-19, ndërsa përhapja e koronavirusit del jashtë kontrollit.

Por Shqipëria sot është larg këtij skenari. Të gjitha masat e ndërmarra nga qeveria prej tre javësh konsistojnë pikërisht në shmangien e një skenari të tillë. Aktualisht Shqipëria ndodhet mes skenarin 1 dhe 2, ku përshkruan një situatë me një numër në rritje të rasteve të importuara dhe shtim të raportimeve për transmetim midis individëve më shumë se dy breza te rasteve, jashtë grupit të rasteve sporadike me lidhje të njohura epidemiologjike. Gjithsesi situata është nën kontroll, ndërsa autoritetet shëndetësore po përpiqen të kufizojnë ose të paktën të vonojmë përhapjen e covid-19. Masat e marra, sipas planit, konsistojnë edhe në evitimin e një rreziku tjetër, që është grimi sezonal. Kufizimi dhe mbajtja nën kontroll të covid-19 lejon që sezoni aktual i gripit të përfundojë, duke hequr një pjesë të konsiderueshme të ngarkesës nga sistemi shëndetësor shkaktuar prej tij.

Skenari 0
Ky skenar, përshkruan një situatë ku në vend nuk ka raste të konfirmuara por në vendet e tjera të Evropës ka raste të shumta dhe/ose transmetim komunitar. Në këtë fazë, qëllimi kryesor i masave të shëndetit publik është zbulimi i shpejtë dhe izolimi i rasteve individuale për të parandaluar zinxhirët e transmetimit të brendshëm, dhe përgatitja për përgjigje efikase në rast se identifikohen raste. Deri tani, disa vende të BE dhe vendet fqinje kanë raportuar raste të konfirmuara dhe disa prej tyre shfaqin dhe transmetim komunitar.

Skenari 1
Ky skenar, përshkruan një situatë me raste të shumta të ardhura dhe transmetim të kufizuar lokal. Pavarësisht numrit të rasteve, nuk ka një transmetim të fortë komunitar (bëhet fjalë vetëm për raste të brezit të dytë ose për transmetim sporadik brenda grupeve dhe me lidhje të njohura epidemiologjike). Në këtë situatë, objektivi është që të ngadalësohet shpërthimi epidemik duke bllokuar rrugët e transmetimit dhe rrethanat lehtësuese për këtë të fundit, përmes zbulimit të hershëm të rasteve të importuara dhe të transmetuara në vend, me qëllim që të përpiqemi të shmangim ose të paktën të vonojmë përhapjen e COVID-19 dhe ngarkesën që do të shfaqej në sistemet e kujdesit shëndetësor.

Skenari 2
Ky skenar, përshkruan një situatë me një numër në rritje të rasteve të importuara dhe shtim të raportimeve për transmetim midis individëve (më shumë se dy breza te rasteve, jashtë klasterit apo grupit të rasteve sporadike me lidhje të njohura epidemiologjike). Në këtë situatë, objektivi mbetet frenimi i përhapjes aty ku është e mundur, ose në pamundësi, vonimi i përhapjes. Nëpërmjet kësaj të fundit, synohet të fitohet kohë gjatë së cilës mund të zhvillohen dhe prodhohen opsione efektive terapeutike, si edhe të shpërndarhen mjetet mbrojtëse personale (MMP). Gjithashtu, vonimi i përhapjes, veçanërisht nëse shtyhet përtej sezonit të gripit, do të luante një rol vendimtar në uljen e barrës për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe sektorët e tjerë. Reduktimi i barrës mundëson më shumë kohë për rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe të shërbimeve shëndetësore. Të gjitha këto masa mundësojnë trajtimin efektiv të pacientëve të infektuar. Mbledhja dhe analizimi i shpejtë i të dhënave epidemiologjike dhe virologjike mundëson hartimin e masave të targetuara, prej këtij skenari e më tutje.

Skenari 3
Ky skenar, përshkruan një situatë me shpërthime epidemike lokale, të cilat kanë nisur të bashkohen dhe nuk mund të diferencohen me nga njëri tjetri. Në këtë skenar, ekziston një transmetim i vazhdueshëm nga individi në individ (më shumë se dy breza te rasteve, jashtë klasterit apo grupit të rasteve sporadike me lidhje të njohura epidemiologjike) dhe një presion në rritje mbi sistemet e kujdesit shëndetësor. Objektivi në këtë fazë është zbutja e pasojave të shpërthimit epidemik duke zvogëluar barrën në sistemet e kujdesit shëndetësor, si dhe mbrojtja e popullsisë vulnerabël ndaj COVID-19. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që në këtë fazë të përdoret edhe informacioni i përftuar në terren, krahas të dhënave zyrtare, për përmirësimin e kontrollit të situatës dhe trajtimit të rasteve.

Skenari 4
Ky skenar, përshkruan një situatë me një transmetim të gjerë dhe të vazhdueshëm, ku sistemet e kujdesit shëndetësor janë të mbingarkuara për shkak të kërkesës së lartë për shërbim shëndetësor urgjent, ngarkesës së njësive të kujdesit intensiv, ngarkesës së punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe reduktimit të personelit në dispozicion, i zvogëluar ne numër për shkak të sëmundjeve, mungesës së MMP dhe mungesës së kapaciteteve të nevojshme për të përballuar fluksin e rritur të testimit. Objektivi në këtë fazë është sërish zbutja e pasojave të shpërthimit epidemik duke zvogëluar barrën e vendosur mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor, mbrojtja e popullsisë vulnerabël për të patur komplikacione, si edhe zvogëlimin e vdekshmërisë prej COVID-19.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Plane ka...: 01/04/2020 22:09

    .... Kur ke shtet dhe ka pergjegjshmeri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?