LEZHË- 5 të rinj janë arrestuar nga policia ne Lezhë për shpërndarje të lëndëve narkotike. Të rinjtë qarkullonin me një makinë në fshatin e Tales në Lezhë, ku brenda saj kishin lëndë narkotike të ndarë në doza gati për ta shitur.
Gjatë kontrollit të makinës me drejtues shtetasin Altin Biçaku, 29 vjeç, dhe pasagjerë shtetasit Fatmir Suti, 29-vjeç, Ervistjan Gjergji, 23-vjeç, Bongjov Korriku, 21-vjeç, dhe Arsid Stojani 23-vjeç, është gjetur një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje dhe një peshore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 5 aparate celular.
Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, shtetasi Fatmir Suti ka tentuar të largohet duke u hedhur nga dritarja, ku për pasojë ka marrë dëmtime dhe është dërguar në spitalin e Traumës,Tiranë, pa probleme për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".