5 të riatdhesuarit nga Siria nën monitorim 'non stop' nga policë në Konvaleshencë! Përfundojnë fazën e parë të trajtimit me psikologë, nisin seanca e intervistimit

7 Dhjetor 2020, 10:41| Përditesimi: 7 Dhjetor 2020, 18:55

  • Share

DURRËS- Floresha Rasha me fëmijët e saj  Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha si dhe Endri Dumani vazhdojnë të trajtohen për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë të Durrësit. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se në Konvaleshëncë është edhe nëna e Endri Dumanit në mbështetje të djalit të saj, edhe pse nuk ka qenë në Siri. Të riatdhesuarit ndodhen aty që nga muaji tetor, periudhë në të cilën u rikthyen në atdhe.

Report Tv mëson se në dispozicion të ruajtjes së tyre janë angazhuar 3 policë të rendit, 3 agjentë krimesh dhe 3 efektivë të policisë ushtarake të ndarë 3 për çdo turn. Ruajtja bëhet non stop 24 orë.

Për çdo ditë ata trajtohen nga një ekip psikologësh nga Tirana. Ndërkohë që është mbajtur nën kontroll gjendja e tyre shëndetësore përsa i përket testimeve të COVID-19 ashtu dhe të parametrave të tjerë shëndetësorë. Floresha Rasha, e cila ka mbetur e plagosur nga lufta në Siri ka pasur përmirësime të dukshme. Sipas burimeve, ka përfunduar faza e parë e trajtimit psikologjik që kishte të bënte me largimin e panikut nga gjendja e luftës që ata kishin përjetuar. Ndërkohë kanë nisur edhe seancat e intervistimit të tyre (kryesisht gruas) nga ana e policisë gjyqësore dhe agjentëve specialë.

Floresha Rasha

Burimi bën me dije se ata falen për çdo ditë në mjediset që janë vënë në dispozicion të tyre. Sipas tyre, terapia e rehabilitimit të tyre do të jetë e gjatë dhe ajo do të vijojë.  

Më 26 tetor u përmbyll me sukses operacioni për kthimin e 4 fëmijëve, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha (e plagosur në Siri) dhe të Endri Dumanit. Në kamp vijon të jetë motra e Endrit, Eva, ku sipas burimeve ajo është fshehur sepse nuk ka dashur që të rikthehet.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?