Mesdita e tretë e javës së fundit të marsit u mbars e polli zëra të zgjatur e gumëzhitës në zemër të metropolit. Disa OJQ, liderë e kalanderë politikë në opozitë dhe ndonjë analist fanatik në “pritë”, u shfaqën në publik duke kërkuar gjilpërën në kashtë rreth deklarimit të Kryeministrit se Qeveria kishte vendosur t’u jepte pensionistëve 5 mijë lekë shtesë (bonus) muajin e ardhshëm. Ndonjëri fërkoi duart dhe vrapoi për ta pagëzuar “lëmoshë elektorale”, “akt politik", "abuzim me fondet publike” ose “nëse vjen nga rritja e deficitit është një borxh që u lëmë brezave të ardhshëm”, “po shkelet haptas Kodi Zgjedhor “ etj.
Mirëpo, mëhallalinjtë e mi pensionistë te Bërryli, i shkelnin syrin njeri-tjetrit dhe filluan të derdhin jo pa humor e qesëndi mendimet e tyre kritike për këta gojështhurur e barkngopur që gjoja nuk i zë gjumi për Ligjet e për shtresat në nevojë. Arritën deri aty sa bënin pyetje therëse e të drejtpërdrejta, pa kokërr lajthie në gojë: Përse nuk ia mbushën mendjen Ramës e Qeverisë, që këto 5 thërrime t’i etiketonin si dhurata “për Ramazan e Bajram” ose “për Pashkë” dhe t’u mbyllej goja “opozitarëve” qaramanë e mediave namusqare ? Këto të fundit, para çdo Viti të Ri, çuditërisht shkruajnë e flasin gati përditë për të njëjtën shifër të rrumbullakosur e të mbështjellë mirë dhe e shesin me daulle brenda e jashtë Shqipërisë. Aq tepër e fryjnë me dashje e pa dashje dhe sikur është bërë nami, sa që tek njerëzit e ndershëm e dinjitozë të moshës së bardhë, herë-herë kthehet në boomerang e gati në fyerje të personalitetit.
Më tej: Përse vallë ndonjë “kompetent” në Polit(h)ikë a në Financa, e pagëzon “lëmoshë”? Mbajmë mend që në monizëm na thuhej hapur me gojë e me shkrim se ato janë “para, ushqime e sende të ndryshme, që u jepen për mëshirë një lypësi, një të varfri a një të papuni në vendet kapitaliste e revizioniste”(?!). Dhe akoma më tutje, lëmoshat përcaktoheshin si “grurë i zier, meshë dhe ushqime të tjera, të cilat u ndaheshin të varfërve në raste përshpirtjesh”! Pra, gjetkë daullja e gjetkë dasma…
Por pensionistët nuk harrojnë të thumbojnë edhe ndonjë OJQ buzëlarë, që tundin e shkundin vulat, zyrat dhe statistikat e fryra e të shfryra sipas oreksit dhe vetëm e vetëm të nxihet vendi në sytë e ndërkombëtarëve. Ja pyetja e tyre rrufe: Që të mos blihemi për 5 thërrime nga Qeveritë, përse këtyre “joqeveritarëve” u dridhet dora e zemra dhe nuk e hapin asnjëherë thesin e donacioneve të ardhura nga Evropa e Perëndimi?
Sepse kanë mbi tre dekada që vjelin e vjelin për hallet e popullit fukara! Madje ka prej tyre që tashmë rrojnë e mbretërojnë nëpër vila dhe i vëzhgojnë me dylbi të këputurit ekonomikisht në fshatra e qytete. Dhe na shesin parime e moral me okë. Apo vazhdojnë t’i besojnë urtësisë së moçme, për të tjerët jo për veten: Më mirë një kokërr me djersë se një thes me lëmoshë ?! Sepse shumë pensionistë në tërë vendin nuk e kanë gjetur ende “mesin e artë”, as andej, as këtej, pa përfituar nga të dy krahët…
Llafollogët e gjithollogët parallinj e hipokritë sipërorë nëpër ekrane e faqe gazetash, për të na e mbushur kokën plot se janë “opozitarë të përjetshëm”, vazhdojnë në të njëtën udhë shërbimi, tërbimi e shpërblimi. Bashkë me ca liderë që nganjëherë tregohen të “dhembshur” e të “pikëlluar” për shtresat vërtet në nevojë ! Vecse mëhallalinjtë e mi flokëbardhë e mendimebardhë, të mërkurën që kaloi, lexonin me zë Nenin 4 të Kodit Zgjedhor ku thuhet qartë e saktë për ndalimin e bonuseve e pagave “4 muaj para zgjedhjeve politike”(të Qeverisë së Re). Dhe i dhanë karar me atë pyetjen plot spec: Ish pushtetarët e vjetër e të rinj, përse nuk kërkojnë “gjilpërën” rreth mullarit të tyre të korrupsionit sa një mal ? Apo drapri tërheq nga vetja…
Fjala vjen, gjitonja jonë Myrvete, motra e aktorit të njohur durrsak Muharrem Hoxha(me origjinë denbabaden nga Dibra e Peja), paska lindur në Ulzë, kur babai i saj Irfan ndërtonte bashkë me shokët Hidrocentralin mbi lumin Mat. E pastaj mbi lumin Bistricë në Sarandë, ku një ditë… i hodhën pabesisht e poshtërsisht prangat “për agjitacion e propagandë” ! Por Myrveti, vajza e vetme, paska lindur fiks në datën e “heqjes së triskave” kur njerëzia po shpëtonte nga marrja e frymës, në 1957 ! Humori i saj me vëlla Rremën, nuk shteron. Vecse ikja e beftë e bashkëshortes së tij të mrekullueshme, për pak ia vrau edhe satirën e sidomos sarkazmën.
Tre muaj më parë folëm gjatë me regjisorin legjendë të Estradës Profesioniste në qytetin bregdetar(mik i dajos tim dhe i peshtanakëve të Durrësit), të talentuarin Haxhi Rama…Dhe pensionistët e mençur hedhin edhe romuze. Mjaft prej tyre, vërtet “janë rritur me thërrime”, por Shqipërisë i falën gjithçka, djersë e mundime të pamata, atje “ku kishte nevojë Atdheu”. Dhe sot janë rreshtuar te “shtresat në nevojë” ! Pardje pyetën gati njëzëri e jo pa irritim : Përse harrojnë kaq shpejt vitin 2013 (Maj) këta soj politikanë e ish pushtetarë të “përgjëruar” për Kodin Zgjedhor, të cilët ia shitën një firme të huaj “Marksin”, “Engelsin”, “Leninin” e “Stalinin”(emrat e Hidrocentraleve), të gjithë në gjendje pune ? A do na shkoqitë dicka Doktori sot pas 10 viteve ?...Sepse shteti ynë do vazhdojë të paguajë deri 31 dhjetor 2044 (?!). Nga ajo shitje tepër e dyshimtë dhe plotësisht elektorale, na thoni sa qindarka fituan të shkretët pensionistë të Shqipërisë nga ata hidrocentrale ?
Duke mbyllur këto shënime, kujtuam edhe “shejtan budallain” e zgjuar zagorit, vjershëtorin origjinal e të papërsëritshëm që “nuk pati kritik që t’i pohonte apo t’i mohonte partishmërinë” e kohës. Kico Th. Spiri (Këthja), “ua ngatërron letrat të gjithëve, ua bën lëmsh llogaritë e pandehmat : kundërshtarët i druhen, aleatët nuk i zënë besë dhe nuk dinë c’të bëjnë me të, ta përgëzojnë apo ta injorojnë (gjersa më në fund kandisën dhe urdhëruan “të mos kërrente më vjersha”)…Përshembull, për 4 Hidrocentralet që u kullandrisën dhe u shitën nga pushtpushtetarët e Doktorit në maj 2013 (vigjilje e zgjedhjeve politike), le të dëgjojmë 14 vargjet me zarar të Kico Spirit. “Sepse nuk ka burrë nëne ta ndajë mendjen : ka qesëndi apo adhurim. Nuk ka ende studiues të përcaktojë se ku fillon adhurimi dhe ku mbaron qesëndia…”.
Hidrocentralin kur e pashë
Në Ulzë, plot goja thashë:
Marksi brenda
Mjekra jashtë!
Dhe ky shoku në Shkopet
Engelsit shumë i ngjet !
Në Selitë sa ma ka ënda,
Sikur shoh Leninin brenda!
Në Bistricë seç u çmalla,
O Stalin, të lumtë palla!
U ndez drita, më nuk prita,
Nëpër ujë c’u vërvita
Dhe përqafova, m’u duk,
Stalinin me gjithë çibuk!