5 vdekje në punë gjatë majit/ Aktivisti ngre alarmin: Janë më të shpeshta se ngjarjet kriminale

29 Maj, 14:58| Përditesimi: 29 Maj, 16:08

  • Share

Pesë viktima nga aksidentet në punë gjatë muajit maj janë shifrat që kanë ngritur këmbanat e alarmit për kushtet e sigurisë në punë. Në ‘Përballje’ në Report Tv, u debatua për sigurinë e punonjësve në mjediset e punës.

Eda Brahimaj nga Inspektoriati i Punës u shpreh për Rovena Nezirin se aksidentet në vendin e punës janë prioriteti i Inspektoriatit.

‘Të gjitha aksidentet këtë muaj, nga hetimet normal që subjektet kanë mungesë masash të sigurisë dhe shëndetit në punë. Këto subjekte janë pezulluar nga Inspektoriati i Punës. Aksidentet në punë janë prioriteti jonë në punën e përditshme. Normalisht jemi në të njëjtat ujëra, po të marrim shifrat vjetore të viteve mëparshme aksidentet me vdekje janë në të njëjtat shifra. Synimi jonë është regjistrimi nga ana e punëdhënësve qoftë edhe të aksidenteve të lehta. Ndërtimi për hir të vërtetës ka zhvillim të madh kohët e fundit. Kemi një nivel të ulët në këtë sektor’, thotë Brahimaj.

Aktivisti Migen Qiraxhi thotë se rastet e fundit janë një këmbanë alarmi për të cilën duhet të ketë përgjegjësi nga institucionet.

‘E patolerueshme që në një vend të kemi diferencë të madhe me çfarë ndodh në Europë. Krahasimisht është 6 herë më i lartë numri i vdekjeve në punë në vendin tonë. Ka një rritje të lehtë të viktimave në vendin e punës. Është këmbanë alarmi, të cilat jo vetëm duhet të kenë procesin e investigimit, por duhet parë parësore parandalimi. Është e tmerrshme kur dallon se ka mungesa të sigurisë dhe cilësisë në punë. Duhet të jetë përgjegjësi e shtuar e institucioneve që në dijeninë time ka mungesë inspektoriatesh në mbarë vendin’, tha Qiraxhi.

Sakaq, Qiraxhi shpreh skepticizmin e tij lidhur me Inspektoriatin e Punës dhe këtë gjë e tregojnë statistikat e humbjeve të jetës në punë.

‘Jam pak skeptik kur thuhet ne bëjmë maksimumin. Duhet parandalim. Kemi kritika kur bëhet fjalë për mbarëvajtjen e një inspektoriati. Nëse statistikat shtohen do të thotë që ka një problem të rëndë. Kemi të bëjmë me jetë njerëzish. Në 2023 34 jetë të humbura, ndërkohë në krimin e organizuar 32 jetë njerëzish. Statistikë tmerruese dhe duhet korrektuar. Duhen masa. Bizneset duhet të paguajnë faturën e sigurimit të kushteve në punë. Ndryshe institucionet kthehen në arkivues arkivolesh’, shtoi ai.

Për Brahimajn nuk jemi në ato vite kur gjendja ishte alarmante, pasi numri i subjekteve që operojnë në fushën e ndërtimit është rritur goxha dhe gjithsej janë 200 mijë subjekte tek të cilat bëhen kontrolle.

‘Nuk jemi më në vitet kur gjendja ishte alarmante. Ka subjekte që operojnë goxha mirë. Problemi më i madh janë subjektet e vogla dhe të mesme. Sa i përket masave, maksimumi nuk është mjaft, për të arritur në standardet europiane. Kemi legjislacionin si të BE, por problem mbetet zbatimi. Për vitin 2023, kemi 80% të pezullimit në subjektet ku nuk ka ndodhur aksidenti në punë. Nuk është inspektori polic dhe të rrijë në subjekt dhe të kontrollojë. Sigurisht ka një afat kohor. Nuk ka vetëm 1 subjekt, janë 200 mijë subjekte. Sigurisht inspektori ka syrin kritik dhe kemi tragetin çdo orë të ditës dhe natës të bllokojmë subjektet’, theksoi ajo.

Në lidhje Skype foli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Konfederatës së Sindikatave, Ilia Kondi kishte disa pyetje për Inspektoriatin e Punës dhe Brahimajn.

Ilia Kondi: Çështja është që çdo vit themi është këmbanë alarmi. Kjo çështje ka fillimet e veta dhe sot nuk shohim ndonjë ndryshim të dukshëm për sistemin e mbrojtjes së sigurisë në punë, duke filluar nga inspektoriati. Inspektoriat duhet të na jap një përgjigje sa është numri i personave që ka ky inspektoriat dhe a i mbulon të gjithë sektorët. Janë të mjaftueshëm për 200 mijë punëdhënës? E dyta në këto raste, që ndodhën në maj të 2024, më përpara kanë qenë të inspektuara apo jo?

Brahimaj: Janë inspektuar. I janë lënë dhe detyra. Subjekti i djeshëm është inspektuar.

Kondi: Çfarë mase është vendosur se kemi vdekje?

Brahimaj: Subjekti në ndërtim i djeshmi është inspektuar disa herë me vite radhazi. Duhet të kuptoni, një kantier ndërtimi është i lëvizshëm.

Kondi vijon më tej duke thënë se dashur pa dashur edhe inspektoriati bëhet bashkëpunues në vdekjen e punonjësve me anë të heshtjes së tyre.

‘Institucioni duhet të thotë ku qëndron problemi. Duhet të shtojë numrin e inspektorëve apo pasi vendosen pezullimet këta hapen sërish si aktivitet. Sepse kemi pasojën e 5 vdekjeve gjatë një muaji. Pse nuk arriti ta parandalonte? Kush është problemi? Nëse është pezulluar dhe sërish ka patur vdekje, shkaktar nuk është vetëm punonjësi. Çfarë mase është marrë ndaj punëdhënësit? Atëherë ky krim ka ndodhur me bashkëpunim. Institucioni përmes heshtjes dhe punonjësi përmes aktivitetit’, tha Kondi.

Brahimaj thotë se subjekti ku ndodhi aksidenti i fundit në Kinostudio është inspektuar por kantieret e këtij subjekti janë në lëvizje.

‘Kantieri i ndërtimit është i lëvizshëm është kontrolluar disa herë pasi ndryshon adresën. Në përgjithësi i drejtohet gishti inspektoriatit të punës. A është sindikata mjaftueshëm e fuqishme për të mbrojtur punonjësit? A ka kërkesë të tyre që këta punonjës nuk punojnë në kushte të sigurta? Në asnjë rast inspektori nuk ka cituar dhe cilësuar që është për faj të punëmarrësit. Sa herë ndodh një ngjarje është faj dhe përgjegjësi e punëdhënësit. Kemi parandalime, gjoba, sanksione. Kaq ka në dorë inspektoriati. Punëdhënësit nuk është armik, është partner në punën tonë’, nënvizoi ajo.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?