Familjarët e një çifti miliarderësh që u vranë në 15 dhjetor të 2017-tës në Toronto të Kanadasë, kanë ofruar 35 milionë dollarë për çdo person që jep informacione mbi autorët e ngjarjes së rëndë.
Pesë vite më parë trupat e pajetë të çiftit, Barry 75 vjeç dhe Honey Sherman 70 vjeç, u gjetën të pajetë në pishinën e madhe të rezidencës që ata zotëronin. Rreth qafës së tyre ishte lidhur një litar që çon në dyshimet se autori apo autorët mund t’i kishin mbytur të dy viktimat. Që prej 13 dhjetorit të 2017-tës askush nuk kishte dëgjuar rreth tyre derisa dy ditë më vonë, një sekser gjeti trupat e pajetë të çiftit të të moshuarve.
Historia e bujshme, ngjalli shumë reagime rreth hetimeve mbi personat që mund të kishin dashur të vrisnin çiftin e filantropëve të Kanadasë. Hetuesit kanë punuar për të lidhur pistat e ngjarjes. Por pesë vjet më vonë, asnjë arrestim nuk është bërë. Në përvjetorin e pestë të kësaj ngjarje të rëndë, djali i Shermans ofroi një shtesë prej 25 milionë dollarësh për informacion që të çonte në një arrestim. Shpërblimi tani është 35 milionë dollarë.
“Kjo javë shënon pesë vjetorin që kur prindërit e mi u vranë në shtëpinë e tyre. Çdo ditë që atëherë ka qenë një makth. Unë kam qenë i mbingarkuar me dhimbje, humbje dhe pikëllim dhe këto ndjenja vetëm sa përzihen vazhdimisht," tha Jonathon Sherman në një deklaratë për mediat e huaja, duke njoftuar edhe shpërblimin që do merrte personi që do të jepte informacion mbi vrasësin.