Punë me detyrim pas diplomimit për studentët e Mjekësisë, Kushtetuesja: Afati 5-vjeçar nuk është proporcional, Kuvendi 3 muaj kohë të ndryshojë ligjin

25 Janar, 15:27| Përditesimi: 25 Janar, 21:58

  • Share

Vendimi i mazhorancës për t’i detyruar studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri për një periudhë të caktuar pas diplomimit është certifikuar nga Gjykata Kushtetuese se i plotëson kriteret e përcaktuara nga Kushtetuta, por Kuvendi duhet të ndryshojë afatet brenda 3 muajsh, pasi janë jo proporcionale. Kushtetuesja njoftoi këtë të enjte pranimin pjesërisht të kërkesës së studentëve dhe 30 deputetëve opozitar për shfuqizimin e disa pikave të ligjit.

Teksa pranon se shteti mund të kufizojë të drejtën për një interes madhor publik siç është detyrimi i shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor, Gjykata Kushtetuese veçon se kufizimi i të drejtës me 5, 3 apo 2 vite për studentët nuk është proporcional, ndërsa udhëzon Kuvendin se sa mund të jetë ky afat.

'Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.’- nënvizon gjykata Kushtetuese. 

Po ashtu, Kushtetuesja veçon një boshllëk në nenin 6 të ligjit, i cili parashikon se në rast mospunësimi të studentit që firmos kontratën me shtetin brenda 1 viti kalendarik nga diplomimi i tij, atëherë marrëveshja konsiderohet e zgjidhur, dhe studenti mund të pajiset me diplomën përkatëse universitare.

Por sipas Kushtetueses ligjvënësi ka detyrimin ta përcaktojë qartë se çdo të ndodhë me të diplomuarin gjatë këtij vitit pritjeje, cili do të jetë trajtimi i tij financiar, përderisa ka vështirësi për fitimin e të mirave materiale për të siguruar jetesën.

‘Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, boshllëk trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.’- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në fund Kushtetuesja heq masën e pezullimit të ligjit, vendosur në datën 14 nëntor 2023 për shkak të marrjes në shqyrtim të kërkesës

Kujtojmë se Kuvendi miratoi me 21 korrik të vitit të kaluar me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Për rreth 3 javë studentët e Mjekësisë bojkotuan mësimin dhe protestuan kundër ligjit që i vendos mes dy zgjedhjeve. Tashmë ata u janë rikthyer auditorëve prej 30 tetorit. Pas takimit me rektorin e UMT Arben Gjata ata u dakordësuan për të hyrë në leksione deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese pas ankimimit të tyre ndaj ligjit detyrues.

Ora 16:20
Kushtetuesja rrëzoi pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë, deputetja PD: Kuvendi brenda 3 muajve të rregullojë problematikat

1699961595_zhenigjergji.JPG

Nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin për studentët e Mjekësisë, ku ka kërkuar heqjen e afatit 5-vjeçar për të punuar me detyrim në vend pas diplomimit. Deputetja e PD-së, thotë se Gjykata Kushtetuese vendosi sot se ligji për studentët e mjekësisë përmbante një sërë shkeljesh kushtetuese, duke i dhënë të drejtë kauzës së studentëve të mjekësisë dhe deputetëve të opozitës.

‘Gjykata Kushtetuese vendosi sot që ligji për studentët e mjekësisë përmbante një sërë shkeljesh kushtetuese, duke i dhënë të drejtë kauzës së studentëve të mjekësisë dhe deputetëve të opozitës. Krenare që, së bashku me kolegët e Grupit Parlamentar të PD-së, iu bashkuam kauzës së studentëve duke nënshkruar kërkesën për në Gjykatën Kushtetuese. Tani Kuvendi ka detyrimin që brenda tre muajve të rregullojë problematikat kushtetuese të ligjit në mënyrë që të garantojë plotësisht të drejtat kushtetuese të mjekëve të rinj shqiptar.’- shkruan Gjergji.

 

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 26/01/2024 00:05

    GJK njeh zgjidhjen e kontrates pas nje viti kur studentit te diplomuar nuk i eshte gjetur pune nga shteti,gjithashtu kerkon qe shteti te interesohet per nevojat financiare te studenteve gjate kesaj periudhe pritjeje.Po mire, por kur studentit i ofrohen vende pune dhe nuk i pranon per arsye te ndryshme,p.sh i ofrojne pune vetem ne fshat,ose ne zona te thella,a quhet kontrata e zgjidhur pas nje viti? Po keshtu,per keta studente qe u ofrohen vende pune dhe nuk i pelqejne,a duhet qe shteti te jete i detyruar t'i mbeshteti financiarisht? Sepse nuk eshte njelloj te jesh i papune se nuk gjen vend pune dhe te vazhdosh te jesh i papune sepse nuk te pelqejne vendet e punes qe te ofron shteti! GJK nuk e ka trajtuar kete /vrime/ ne projektligj.

    Përgjigju
  • Dr.Ardita D. Tanushi: 25/01/2024 19:05

    Gjykata Kushtetuese tek Ne është një organ ligjor pa asnjë orientim dhe përafrim me Gjykatat Kushtetuese në Europë, sidomos në BE. Në shtete fqinjë të Shqipërisë (në Itali P.SH.), ku ikja e Mjekëve dhe Infermierëve është bërë e frikshme (me qindra fshatra pa mjekë fare dhe në shumicën e qyteteve mungojnë 25% të nevojës për Mjekë e Infermierë), është aplikuar Ligji i marrjes së Diplomës pas 5 viteve të punësimit aktiv në Sistemin Shëndetësor. Ndërsa tek Ne Gjykatat Kushtetuese bëhet palë me bukshkalët e vëndit të tyre, studentët e mjekësisë që s'duan të japin asnjë kontribut për vendin që i lindi, rriti dhe i shkolloi. Edhe në Greqi para 7 viteve ndodhi e njëjta gjë, por Gjykata Kushtetuese atje i dha të drejtë ligjit të Qeverisë Cipras, që çdo student i Mjeksisë dhe Infermierisë pas mbarimit të shkollës dhe specializimit, të japi kontribut 5 vite kudo ku ka nevojë Sistemi Shëndetësisë. Ato janë SHTETE dhe atje ka Gjykatë Kushtetuese të përgjegjshme ndaj interesit të vendit.

    Përgjigju
  • Kot: 25/01/2024 18:13

    Po' normale se vet shkojn neper spitale private maskarej,populli thjesht e han sa krahu

    Përgjigju
  • 313: 25/01/2024 17:10

    Bravo Gj.K qe po ndalon kte hemoragji qe po i ndodh vendit.

    Përgjigju
  • albfire: 25/01/2024 15:49

    Me kete vendim, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj. Ne kete rast ajo duhet te shprehej nese nje mase e tille eshte ose jo ne kundershtim me Kushtetuten dhe jo te vendosi se sa duhet te jete ajo (5 vjet apo me pak!). Cfare lidhje ka sa kohe vendosin shtetet e tjera me Kushtetuten e Shqiperise?! Edhe kete rast nje vedim: “Terhiq, e mos e keput!”

    Përgjigju
    • Aladini: 25/01/2024 23:09

      Sakte!!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?