Kultura

50 vite krijimtari në ekspozitën me 50 piktura të Zoraqit! Artisti rrëfen rrugëtimin artistik që prej moshës 14-vjeçare

3 Shkurt, 13:30| Përditesimi: 3 Shkurt, 14:14

  • Share

Ky vizatim bardh e zi është i vitit 1978 dhe ka si autor piktorin Klement Zoraqi. Vizatimi jetëson një moment kur artisti, në atë kohë gjimnazist, kishte dalë nga liqeni dhe për t’i shpëtuar shiut ‘strehohet’ brenda një karroce me kuaj.

“Është një moment që tregoj kohën kur dilja nga liqeni. Më kapi shiu në mes të arave dhe nuk kisha ku futesha. Kalon një karrocë me kuaj, e fermnës dhe më fton të futem brenda, të shpëtoj nga shiu. Ajo ishte një kabinë e mbyllur dhe kishte pjesën e hapur përpara. Atë çfarë pashë, kurrizet e kuajve, shiu… Nxora dosjen ashtu siç isha i lagur dhe e vizatova. Dhe ai vizatim ka ngelur, i 1978-ës.”, - tregon Zoraqi.

“Kam fiksuar atë moment, për të thënë që duhet vizatur nga natyra gjihmonë, në çdo moment. Blloku i vizatuesit duhet të jetë me vete se vetëm kështu krijohet artisti i ri. Pastaj ai artist i mësuar në këtë formë mund të përqafojë gjithë format e tjera të artit bashkëkohore etj., por edukimi fillon me lapsin dhe me bllokun.”, - vijon Zoraqi, ndërsa shpjegon se sipas tij vizatimi në fjalë ka edhe një vlerë didaktike për brezat e rinj.

Kjo punë është një nga më të hershmet e artistit dhe që prezantohet në ekspozitën retrospektivë të tij “Qiell-Tokë”, të çelur në Galerinë e Artit të Tiranës në rrugën e Kavajës.  Janë 50 punë që rrëfejnë për 50 vite krijimtari të Klement Zoraqit që nga mosha 14-vjeçare e deri më sot.

Përmes gjuhës së artit figurativ, Zoraqi krijon një lidhje intime me natyrën, një harmoni mes ndjenjës dhe mendimit, emocioneve dhe arsyes, qiellit dhe tokës. E konceptuar në tre panele në tre salla të ndryshme, secili grup pikturash rrëfen një periudhë të caktuar. 

Periudha e parë e krijimtarisë është ekspozuar në një panel më vete si prolog për çfarë do të vijë më pas. Në sallën e parë prezantohet ideja qiell-tokë me disa punë në vaj të dimensioneve relativisht të mëdha, ndërsa në sallën e tretë, artisti prezanton disa punë të viteve të fundit dhe përmes një kodi QR të vendosur në mur, e që çdo njeri që hyn në sallë mund ta skanojë, Zoraqi shpjegon pikërisht veprën e tij në tre gjuhë: shqip, anglisht, italisht.

“Thuhet që arti flet vetë dhe nuk ka nevojë për shpjegime. Është e vërtetë, por po kaq e vërtetë është edhe nevoja që ka publiku për t’iu afruar artit. Unë desha ta tregoja vetë historinë se si janë krijuar këto punë.”, - thotë piktori.

E gjithë ekspozita i dedikohet raportit të Zoraqit me natyrën, që është dhe tema kryesore e punëve të artistit dhe do të qëndrojë e hapur deri më 18 shkurt.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?