“Unë jam Mehmet Bekurti. Kam mbi 50 vjet që luaj shah nga 8 orë në ditë,”-u shpreh fillimisht shahisti Mehmet Bekurti.
70-vjeçari nga Berati ishte shahisti më i veçantë në eventin e mbajtur në Tiranë për ditën ndërkombëtare të shahut. (pamje nga ecja me motoçikletë) Bekurti, i amputuar në njërën këmbë, thotë se ky sport i ka ndryshuar jetën.
“Çdo invalid që ka mundësinë për të ardhur duhet të vijë se është e vetmja mënyrë për të kaluar kohën....Deri sa të kem jetën. Deri sa të kem jetën … (qesh). Shahu më ka frymëzuar jashtmase. Më ka bërë ky që jam. Pa shahun unë nuk do të ekzistoja,”-tha Bekurti.
Mehmet Bekurti vite më parë ka qenë ndër shahistët më të shquar të Shqipërisë.
“Kam marrë kupa sa të duash! Në Spanjë, Angli, Francë. Kupa sa të duash por çfarë vlerë kanë ata (qesh)! Nuk kanë vlerë ato. Vlerë ka ecuria,”-deklaroi 70-vjeçari.
Për Report TV Bekurti tregoi se në ditët ndërkombëtar të shahut pati ndeshje më mosha të ndryshme, duke filluar nga 14 vjeç.
“Akoma, por do ta marrin veten. Megjithatë unë me logjikën time ua lë të rinjve stafetën. Që edhe pse ata lozin më dobët unë mundohem t’ia lë atyre. Që të afrohen se ndryshe nuk afrohen ato (qesh),”-tha Bekurti.
Të shumtë ishin ata të cilët morën pjesë për herë të parë në një kampionat shahu.
“Unë bëra vetëm një fitore si hera e parë që luaj dhe shumica e fëmijëve më rrahën,”-u shpreh një shahist pjesmarrës.
“Mirë, shumë mirë më shkoi si hera e parë. 5 pikë e gjysmë në 9 raunde besoj se është rezultat i kënaqshëm. Organizimi ishte i shkëlqyer dhe ishte atmosferë shumë e bukur,”-deklaroi një tjetër shahist.
“Kisha 9 ndeshje. 5 ndeshjet e para i humba dhe të parën që fitova humba 1 minutë e 45 sekonda. Nuk isha fare aty, por me përmbysja arrita ta fitoja atë lojë,”-u shpreh një fëmijë shahist.
Eventi dy ditor në Tiranë u organizua nga Federata Shqiptare e Shahut.
“Janë përfshirë gjatë garave shahist, por edhe të apasionuar që deri dje kanë luajtur vetëm online. Në tërësi janë 130 persona të angazhuar dhe besoj që të gjithë e kanë gëzuar,”-tha Majlinda Pilinçi, sekretare e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut.
Përveçse në Tiranë, i njëjti event për ditën ndërkombëtare të shahut u mbajt edhe në Pogradec, ku kishte pjesëmarrës të moshave të ndryshme.
Komente
