Amb. Zef Mazi, ka shërbyer si ambasador i RSH në KSBE/OSBE
Sot, më 8 gusht 1975, egzakt 50 vjet më parë, u nënshkrua Akti Final i Helsinkit. Akti u nënshkrua nga të gjithë shtetet evropiane, plus SHBA dhe Kanadanë, me përjashtimin e vetëm të Shqipërisë. Enver Hoxha pati thënë, “ne nuk marrim pjesë se ajo është konferenca e pasigurisë”. Akti Final është një dokument kompleks, pavarësisht sesi e etiketoi Kisingeri – “një copë letër pa vlerë”. Akti përbëhej nga të ashtuquajturat “shporta” që mbulonin fusha të caktuara të marrëdhënieve ndërkombëtare. Zbatimi i tyre pas nënshkrimit ishte një sukses për përpjekjet globale të “détentes” në Evropë. Shtytësit kryesore ishin Niksoni dhe Kisingeri nga SHBA dhe Brezhnevi dhe Gromiko nga Bashkimi Sovjetik. Qëllimi ishte të ecej drejt dhënies fund të Luftës të Ftohtë dhe të hapej rruga për bashkëegzistencë paqësore lindje-perëndim, pa përjashtuar ndikimin që do kishte vecanërisht zbatimi i detyrimeve të njerës prej “shportave” për ndryshimet politike që do pasonin në Lindje
Negociatat për Aktin Final u zhvilluan në Gjenevë për 2 vjet (1973-1975). Ato kishin filluar pas Krizës të Raketave në Kubë në 1962, kur bota ishte në zgrip të një lufte bërthamore, dhe pas fiaskos amerikane në Vietnam. Fundi i viteve 1960 nxori në pah dëshirën e të dy krahëve për të shtensionuar situatën. Kishte dështuar edhe përpjekja sovjetike për të shtypur Pranverën e Pragës e vitit 1968. Në gjysmën e parë të viteve 1970 patën nisur një numër inisiativash diplomatike dhe ishin bërë disa marrëveshje; po ecej drejt kulmimit të politikës të “détente-s” – që u pasqyrua nga nënshkrimi i Atit Final të Helsinkit në vitin 1975.
Akti i Helsinkit, në fakt, e pati zanafillën te inisiativa e Bashkimit Sovjetik, por që hasi në një Evropë Perëndimore (edhe me NATO pas Raportit Harmel) që realisht donin të kombinohej një politikë e kujdesëshme mbrojtjeje me një diplomaci dhe negociata reale mbi bazën e parimit të ndërsjelltë – “më-jep-të-jap”. “Raporti i Këshillit mbi Detyrat e Ardhme të Aleancës” ishte shkruar në vitin 1967 dhe u njoh si Harmel Report. Ai ishte një dokument i historisë të NATOs. Raporti efektivisht paraqiti nocionin e zmbrapsjes (deterrence) dhe të “detentë-s”, që ishte hapi i parë drejt një përqasje disi më gjithëpërfshirëse për cështjet e sigurisë, që do shfaqeshin pas vitit 1991. Akti Final lidhjej njëkohësisht edhe me cka i parapriu atij – “politique à l’Est” (Politika në Lindje) e Francës dhe “Ostpolitik” (Politika lindore) gjermane e Vili Brandit.
Shumë konferenca u organizuan dhe shumë ujë rodhi nën urë nga viti 1975 deri në 1991, përfshirë ndryshimet e mëdha politike në Evropën Lindore. Pas dy javë mbledhjesh në Berlin të Republikës Federale të Gjermanisë, në përgatitje të Mbledhjes të Këshillit të Ministrave të KSBE-së më 19-20 qershor 1991, u ktheva në Shqipëri. Mbledhje kishte rëndësi të vecantë simbolike sepse u mbajt pikërisht në Berlin që ishte qendra e përplasjes Lindje-Perëndim.
Me shumë simbolike per ne ishte se në atë Mbledhje, që u drejtua nga ish-Ministri i Jashtëm i RFGJ-së, Ditrih Gensher, Shqipëria u pranua vend pjesëmarrës, anëtar i KSBE-së. Prania ne sallë ne momentin e pranimit ishte teper emocionuese. Hyrja në KSBE ishte padyshim gëzim i madh për ne diplomatët që kishim punuar disa vite për të siguruar që Shqipëria të hynte në KSBE. Ajo konsiderohej nga ne, në heshtje, ose në rrerth tepër të kufizuar të besuarish, si një kapërcim i madh cilësor drejt hapjes së vendit.
Kam obligim moral të pohoj se rol të veçantë emancipues, shumë profesional, mjaft “liberal” për kohën, inkurajues dhe frymëzues për stafin e ri, ku bëja pjesë, për hapjen dhe futjen e Shqipërisë në KSBE, luajti ish-Drejtori im në MPJ, i ndjeri dhe i nderuari Ambasador Petraq Pojani, një nga diplomatët më të shquar dhe më profesionistë që ka pasur Shqipëria. Ambasador Pojani ishte personi kyç për të themeluar Drejtorinë e Bashkëpunimit Shumëpalësh, krijuar për herë të parë në MPJ. Kjo flet qartë se Ambasador Pojani, që para vitit 1990, pati largpamësinë e hapjes së vendit dhe, në këtë kuadër, pati meritën e madhe që të mblidhte në atë Drejtori diplomatë të rinj të cilët i konsideronte me shumë perspektivë dhe që duheshin përgatitur për hapjen e vendit. Atyre ai u dha mbështetje të madhe profesionale, miqësore dhe personale. Unë jam njëri prej tyre, për çka do i jem mirënjohës përgjithmonë.
Nuk kishin filluar ende të frynin mirë erërat e ndryshimit politik në Shqipëri kur u ktheva nga Berlini. As pas vizitës në vendin tonë të ish-Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Xhejms Bejker, per të cilin luajta rolin e përkthyesit për palën shqiptare. Ai erdhi në Shqipëri nga Beogradi ku tha publikisht se duhet të ruhej Jugosllavia. Mesazh ishte edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, që duhej lexuar ndërmjet rreshtave, se dicka edhe mund të ndodhte. Pakush e mendoi këtë asokohe.
Pas asaj vizite, u emërova Ministër-Këshilltar, i Ngarkuar me Punë a.i., në Ambasadën dhe në Misionin e RSH-së në Vjenë, nga ku mbuloja edhe Zvicrën, ku Shqipëria kishte vetëm Mision të akredituar në OKB në Gjenevë. Pak ditë pasi kisha marrë postin në Vjenë u nisa për në Helsinki me delegacionin e ish-Presidentit të Republikës, Ramiz Alia. Ai shkoi për të formosur Aktin Final të Helsinkit. Ajo firmosje zyrtarizoi anëtarësinë e Shqipërisë në KSBE dhe ishte hapi i parë i madh i hapjes të Shqipërisë. Prania ime në ceremponië e firmosjes të Aktit Final të Helsnikit atë shtator 1991 ishte një moment që do mbetet i pashlyer në memorien time!
Komente
