500 mijë kartela, Regjistri i Trashëgimisë Kulturore me më shumë objekte! Në 2023 u shtuan mbi 15 mijë, Muça: Institucionet fetare hezitojnë, kanë frikë se mos i merr shteti!

5 Janar, 16:13| Përditesimi: 5 Janar, 16:18

  • Share

Në këtë godinë ngjitur me Ministrinë e Kulturës, në ish-Kinostudio, ruhen objekte me vlerë. Disa prej tyre të identifikuara si pasuri vendase janë tanimë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore të Vjedhura, ndërsa të tjera në proces hetimi.

“Këtu (një prej dhomave ku mbahen objektet) janë rreth 12 objekte të identifikuara,  por pjesa tjetër i përkasin trashëgimisë  kulturore të vendeve ttë tjera, si maqedonase apo greke”, thotë drejtori i IKRTK-së, Sokol Muça.

Puna për identifikimin e pasurisë kulturore në vendin tonë është intensifikuar përgjatë dy viteve të fundit. Në 2023-shin, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore ka regjistruar 15,166 objekte të trashëgimisë kulturore materiale.

“Regjistri i objekteve të trashëgimisë materiale ka afro 500 mijë kartela, ndërsa regjistri i objekteve të trashëgimisë jomateriale ka 103, nga të cilat, 95 e tyre janë të regjistruara (gjatë 2023-shit), si pjesë e një projekti me UNESCO-n”, shprehet më tej Muça.

Në këtë mënyrë është rritur dukshëm edhe regjistrimi i dukurive jomateriale. Më të fundit të shpallura si “kryevlera kombëtare” janë vallja devollite, veshja e gruas mirditore si dhe fyejt e Gramshit.

“Ne përpiqemi të shkojmë përtej regjistrimit, duke i evidentuar dhe promovuar ato, të cilat më pas mund të propozohen edhe për në UNESCO, shton më tej.

Drejtori i Institutit të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, tregon se shtrirja e identifikimit dhe regjistrimit të pasurive kulturore do të zgjerohet dhe kërkon bashkëpunim, duke ndalur në rastin e institucioneve fetare.

“ Synimi i Regjistrit, janë të regjistrohen jo vetëm objektet e institucioneve shtetërore, por edhe ato fetare. U bë vite që ne bashkëpunojme me institucionet fetare, por ka një problematikë, një lloj hezitimi nga këto institucione, të shkaktuar nga frika se shteti mund t’i regjistrojë dhe më pas t’i konfiksojë, çka nuk ka për të ndodhur kurrë. Sepse roli i institucionit që unë drejtorj është t’i identifikojë dhe jo t’i marrë. Në këtë formë ne ngulojmë që inst. fetare të bëjnë regjistrimin e tyre, duke përdorur kartela dhe informacione të ngjashme me tonat. Kështu edhe në rast humbjeje mund të ndihmojmë përmes këtyre të dhënave për t’i gjetur sa më shpejt”, thotë më tej Muça.

Hezitimi mund të vijë edhe nga koleksionistët.

“Në formatin e regjistrit që ne po përdorim është lënë natyrisht hapësirë për koleksionistët. Edhe në këtë rast ka një lloj stepje që lidhet me burimin ku e kanë marrë, dyshimet se mund të ketë qenë i humbur apo diçka e tillë. Ndaj ne u sugjerojmë që të sigurohen për burimin, atyre që blejnë objekte të tilla” ,shprehet ai.

Fund vitin që lamë pas Maqedonisë së Veriut iu kthyen 20 objekte të sekuestruara nga policia në 2013-ën.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?