500 raste në javë me viroza! Këshilla të nevojshme nga mjekja si të kujdeseni për fëmijët dhe kur t'i drejtoheni pediatrit

4 Shkurt 2020, 17:15| Përditesimi: 4 Shkurt 2020, 17:20

  • Share

TIRANË - Rreth 500 raste në javë. Është ky numri i personave që paraqiten nëpër qendra shëndetësore me simptoma të virozave apo dhe të gripit. Java e fundit e janarit dhe fillimi i shkurtit ka pasur rritje të fluksit, ku më së shumti janë fëmijët ata që janë më të prekur.

Mjekja e familjes pranë qendrës shëndetësore numër 1 në Tiranë, Diana Hysi tha se një ndër simptomat kryesore që paraqitet më së shumti tek fëmijët është temperatura e lartë, e cila zgjat deri në 6-7 ditë.

“Temperatura ka zgjatur deri në 6-7 ditë, është shumë rebele, është shume rezistente, nuk bie. Duhet ta dinë nënat këtë gjë, por është në kuadrin e një gripi, pastaj ka dhe lloje të tjera virozash. Është virozë e stinës, shoqërohen me rrjedhje të hundëve, me rrjedhje të syve, me temperaturë të vogël”-u shpreh mjekja.

Mjekja këshillon që prindërit të monitorojnë në çdo moment temperaturën e fëmijës dhe rekomandon konsumimin e sa më shumë lëngjeve.

“I jap një këshillë prindërve që ta monitorojnë temperaturën në çdo moment, të vendosin termometrin, të përdorin antiperetikë sipas këshillave të pediatrit dhe të kontrollojnë të gjitha funksionet jetësore të fëmijës. Fëmija duhet të jetë koshient, të flasë normalisht, të japi përgjigjen që duhet në momentin që duhet, nuk ka probleme me frymëmarrjen, ka një orientim të mirë në kohë dhe hapësirë, ka një oreks të ruajtur relativisht, merr lëngje, duhet të marri lëngje vazhdimisht. Nëse të gjitha këto funksione janë të ruajtura, nuk ka përse ti drejtohen qendrave spitalore, urgjencës. Nëse temperatura shkon deri në 40 gradë dhe fëmija është i vogël, 5-6 vjec, edhe më i vogël, është e mira që t'i drejtohen pediatrit”, - tha Diana Hysi.

Mjekja bën apel dhe për përdorimin e kujdesshëm të antipiretikëve për uljen e temperaturës, pasi përdorimi pa kriter mund të çojë në rastet e hipotermisë.

“Nën vlerat normale të temperaturës, 36 e gjysëm nëna duhet të shqetësohet për këtë problem tek fëmija, sidomos nëse temperatura shkon nën 36.  Duhet ndërprerja e menjëhershme e ilaçit që merr, e antiperetikut të paktën për 12 orë deri në 20 orë dhe vënia e borsave të ngrohta në këmbë, në kyçe, mbajtja në të ngrohtë me batanije të ngrohta”, - shpjegoi mjekja.

E pavarësisht se në vendin tonë ende nuk ka raste të koronavirusit, janë marrë masat parapërgatitore nga institucionet shëndetësore. Mjekja këshillon përdorimin e maskës në ambientet e mbyllura, pasi pikërisht në këto ambiente është dhe risku me i madhe i përhapjes së virusit.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?