TIRANË- Një 34-vjeçar është plagosur me armë zjarri pasditen e 12 korrikut në një lokal në zonën e Valiasit. I plagosuri, Franci Xhaferri, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes, 54-vjeçarin Besnik Koçiu. Por në pranga ka përfunduar edhe vetë i plagosuri, pasi gjatë hetimeve nuk bashkëpunoi me autoritetet dhe nuk dha informacion mbi rrethanat e ngjarjes apo autorin.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhurgjatë një konflikti në ambientet e një lokali në Valias. Dy personat, që rezultojnë banorë të së njëjtës lagje, janë konfliktuar dhe më pas Besnik Koçiu ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Franci Xhaferrit, duke e plagosur në këmbë.
Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, ndërsa më pas gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar edhe arma e krimit, një pistoletë.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se pasditën e djeshme ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një shtetas, dyshohet i plagosur me armë zjarri, menjëherë organizuan punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit B. K., 51 vjeç, i cili dyshohet se nga pakujdesia, pasditen e djeshme, në një lokal në Valias, ka qëlluar me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Xh., 34 vjeç, me të cilin banonin në të njëjtën lagje. Ky i fundit ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u arrestua edhe shtetasi F. Xh. (i dëmtuari), pasi gjatë procesit hetimor nuk bashkëpunoi plotësisht, duke mos dhënë informacion të mjaftueshëm mbi rrethanat dhe personin e dyshuar si autor të plagosjes. Më tej, gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit, pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer plagosja", sqaroi Policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Komente
