Doktor Flamur Tartari

52 vite në mjekësi, Flamur Tartari: Puna në rrethe më ndihmoi të bëhem kirurg, një natë kam operuar 15 njerëz

1 Tetor 2018, 18:02| Përditesimi: 24 Tetor 2018, 12:47

  • Share

Doktor Flamur Tartari rrëfen udhëtimin e tij, si kirurg në 75-vjetorin e tij të lindjes. Edhe pse kanë kaluar 52 vite nga dita që profesori do të vendoste që të bëhej mjek, sërish e kujton fort mirë se si kjo dëshirë ka lindur tek ai.

Ishte vetëm dhjetë vjeç kur për herë të parë u gjend para një makine që ishte rrëzuar me njerëz të plagosur. Pikërisht kjo panoramë do të bënte që nipi i themeluesit të Radiologjisë shqiptare, Ismail Tartarit, të vijonte rrugëtimin e gjatë pranë pacientëve.

VIDEO/Intervista e plotë në Report TV e mjekut Flamur Tartari

Profesor, si i kujtoni takimet e para me mjekësinë në vitet ‘60. Si ka lindur dëshira juaj për t’u bërë mjek?

Dëshira për t’u bërë mjek ishte se ne si familje nga Tirana, Durrësi na dërguan në Kavajë. Unë në shtëpinë që kam qenë në Kavajë, një ditë pasdite ka ardhur një makinë e rrëzuar me shumë njerëz të plagosur. Unë xhaxhanë, Ismail Tartarin, e kam pasur doktor, themelues i Radiologjisë shqiptare. Por, unë kam qenë i vogël, dhjetë apo 12 vjeç kur kam parë si bërtisnin, pashë gjak, se si ndiheshin infermierët tanë në vitet 1952-’53. Ishin vite me një mjekësi, që personeli punonte me ndërgjegje të madhe. Bëhej luftë në familje që të merrja mjekësinë. Kam nderin shumë të madh, që në këtë bibliotekë ku jemi sot në vitin 1961 kanë qenë shumë njerëz të shquar që na prisnin ne. Ne rrinim natë e ditë në këtë bibliotekë, që ruhet në të zanafilla e mjekësisë së Shqipërisë.

Por, përse vendosët që më vonë të specializoheni për kirurg, urolog?

Ne mbaruam mjekësinë e përgjithshme, por ishte fati im, se atëherë caktoheshin nga Ministria. Por, ka një gjë që unë e kam cilësuar disa herë, se kur ishim studentë dekanët Medat Shtylla dhe Ismet Dibra zbatonin mendimet e Hipokratit, se studenti i mjekësisë duhet që të shkojë pranë shtatit të sëmurit. Që në vitet e para, ne bënim gjatë pushimeve edhe shkollës praktik, si sanitar, infermier dhe në verë bënim rreth dy muaj në rrethet përkatëse punën e infermierit. Mësonim shumë në kirurgji. Kështu lindi dëshira ime për t’u bërë kirurg. Ndihmë të madhe më kanë dhënë dy kirurget e shquara, Rushen Golemi dhe Margarita Basha, të cilat ishin pedagoget tona. Ishin edhe rrethet shkencore të kirurgjisë me profesor Ferdinand Papariston, Petro Cani bënim punë praktike eksperimentale, që tani ka përfunduar. Tani nuk bëhet asgjë, sepse kushtet rrodhën ndryshe dhe studentët mendojnë se çdo gjë e mësojnë në libra. Jam duke treguar kohën në etapa të ndryshme të jetës sime. Pasi përfundova u caktova kirurg në Durrës, atje m’u dha një ndihmë shumë e madhe nga spitali i Durrësit e në veçanti nga mësuesi im i parë, që ka qenë Paskal Prodani dhe kolegu i tij, Miri Hoti. Atje kam mësuar shumë gjëra. Pastaj erdha për specializim tek klinika e Petro Canit, Besim Elezit dhe e Luter Kreshës. Edhe këtu mësova shumë, dhe u ktheva sërish në Durrës ku punova një vit atje. Ismet Dibra, që ishte dekani më i zgjuar, më punëtor edhe më shkencor që kishte një perspektivë për të parë të rinjtë. Bashkë me disa kolegë na ftuan edhe na bënë pedagogë këtu, ku unë erdha me dëshirë për të punuar në kirurgji. Kushtet tona ishin ndryshe, vetëm nga mësimi që na kanë dhënë profesorët e shkëlqyer. Ja i jepnin gjërat falas, me gjithë shpirt.

Janë 52 vite, që ju keni qenë pranë pacientëve, por cili është ai pacient që ka lënë më shumë gjurmë tek ju?

Unë kam në duar një libër, të cilin mendoj që ta titulloj “Vuajtjet edhe kënaqësitë e një kirurgu”. Për shembull, fëmijët e mi nga puna që kam bërë natë e ditë në spital nuk i kam rritur unë, por i ka rritur gruaja ime, e cila edhe duhet që të punonte edhe të rriste fëmijë. Më kujtohet një natë, ishte viti kur kishin nisur në Shqipëri punët fizike, rrëzohet një makinë e Gjergj Dimitrovit me 45 veta. Ishte ora 10 e darkës e binte shumë shi, 25 veta erdhën në spital, ka qenë 122 urgjenca. Unë kam operuar atë natë 15 veta, kam nisur në 22.00 të mbrëmjes dhe kam mbaruar 17.00 pasdite të nesërmen. Ndërsa, për një grua tjetër të cilëne çova në maternitet, që dyshohej për barrë jashtë mitrës. Ma sollën edhe thanë që ska gjë, por e kujtoj sot pas 48 vitesh, ishte operimi i fundit që po bëja atë ditë të diele. Edhe më thanë, doktor mos bësh një gabim. Edhe e pamë e operuam dhe shpëtoi. Prandaj ne vuajmë shumë. Nuk ëhstë puna e kënaqësisë, e para është vuatje. Ne hasim shumë njerëz me karaktere të ndryshme, prandaj mjeku duhet që të sillet njëlloj. Ne duhet që të bëjmë çështë e mundur, që njerëzit të vizitohen në spitale. Ka shumë burokraci të tepruara, prandaj shteti duhet që të vërë dorë menjëherë.

Kjo situatë ka ndodhur pas viteve ’90, si ndryshoi puna për ju, por edhe mjekësia shqiptare?

Pas viteve ’90 ndryshoi puna, se nuk pati investim. Nisën privatizimet edhe filluan që të hapen edhe kioska në anën e mjekësisë. Pavarësisht se ka spitale shumë të mirë, në klinika private ka mundësi, ndërsa në shtet nuk ka teknologji. Ka dyzet vite që ka dalë thërrmimi i gurëve me aparat, ndërsa ne nuk e kemi këtë. Jemi shteti i varfër. Jo, nuk jemi shteti i varfër. Ne duhet që të ndjekim shembullin që spitali publik të jenë spitalet më të mirë, pastaj të vijnë privatet.

Profesor, a jeni i kënaqur nga ajo që keni bërë, nga ajo që keni arritur, nga ndihmat që keni dhënë, por edhe momentet ë vështira që keni kaluar, si mjek?

Unë jam shumë i kënaqur, sepse nga ndihmat që ne kemi dhënë vazhdojnë edhe sot që të na takojnë. Në vitin 1971 do të iknim në stërvitje ushtarake me studentët, por unë flija në spital. Vjen një fëmijë 5 vjeç në atë periudhë, i cili për të marrë një biskotë ishte rrëzuar. E morëm, e hapa edhe nuk po gjeja asgjë. E hapa edhe pashë që kishte gjak shumë në lozhën e veshkës. Atëherë u detyrova që të hiqja hematomat dhe të dalë veshka normale. Pas 30 vitesh po dilja nga spitali edhe ndalon një makinë. Më pyet ku po shkoja, i thashë po marrë autobusin. Më tha hajde me mua. E më tregoi kush ishte. Prandaj mendoj se duhet më shumë dashuri për të sëmurin. Ka mjekë shumë të mirë, por duhet bërë një punë më e madhe. Duhet një perspektivë, edhe sot studentët më thonë, që do mbarojmë edhe do ikim në Gjermani.

Kjo vjen për shkak të mospagesës apo të kushteve?

Para 15 vitesh Greqia ishte shumë keq në mjekësi në këtë drejtim. Atëherë ata nxorën një vendim, që unë mendoj se duhet që të merret. Mentaliteti ynë është që doktori i mirë shikohet me punën, nuk është mentaliteti tek paret. Shteti në radhë të parë duhet që të shtojë rrogat e mjekëve edhe të infermierëve edhe kjo punë duhet që të kondicionohet edhe me një kusht tjetër, ose të punosh në spitalet shtetërore, ose në private. Nëse flasim për etikën mjekësore këto gjëra nuk shkojnë.

Profesor, përveçse punës si mjek, ju keni shkruar edhe 20 libra. Por si lind kjo dëshirë?

Ç’është e vërteta unë jam xheloz, që përse nuk manifestohet puna e mjekësisë shqiptare. Doktor osmani njihej si një nga kokat më të mëdha ët kirurgjisë në vitet 920. Mirëpo janë disa gjëra, se as ata që janë në OBSH, (Organizata Botërore e Shëndetësisë) se kush e ka bërë, që Shqipëria të jetë pjesë e saj. Mirëpo siç thotë citati i Skënder Luarasit se e gjithë bota i bën heronjtë prej balte, ndërsa ne i kemi edhe u hedhim baltë.

Meqenëse jemi pikërisht këtu, a ndiheni i vlerësuar?

Për mua nuk ka shumë rëndësi shumë kjo. Unë jam shumë i kënaqur që nuk kam bërë gabime, sepse çdo njeri mund të kalojë periudhë të vështirë me të sëmurët, por kjo është kënaqësia ime më e madhe. Gabime me vdekjen e të sëmurit them. Mendoj se mjekësia duhet që të ndihmojë popullin, por që të ndihmohet populli në spitalet shtetërore ka një radhë shumë të gjatë, prandaj duhet që të ndërhyhet në spitalet private. Në spitalet private duhet që të ketë një siguracion, shteti t’i jap një siguracion popullit, personit që do të operohet, po ashtu edhe kompania, që ai vet të paguajë vetëm 30 për qind. Njerëzit po hynë në borxhe për të paguar një njeri në spitale private. Tani ka shumë zhvillim në shumë gjëra, por në organizim është shumë dobët, ministria e Shëndetësisë duhet që t’i rishikojë disa gjëra, jo që të rrinë duke bërë propagandë në televizione. Unë vetë kam dhënë gjak për të operuar pacientin, sot me fushata e bëjnë këtë, por janë disa gjëra që duhet gërshetuar, e vjetra me të renë.

Prof. Flamur Tartari, përveçse është kreu i Shoqatës së Urologëve të Shqipërisë. Ai ka shkruar rreth 20 libra në fushën e mjekësisë dhe vazhdon aktivitetin e tij, si mjek në një nga spitalet private.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?