Kultura

52-vjetori i revoltës së Spaçit, kujtimet e ish-të dënuarve! Lek Mirakaj kujton ferrin: Na trajtonin si skllevër! Prezantohet faqja e Spaçit, arkivë digjitale me dëshmi!

20 Maj, 15:07| Përditesimi: 20 Maj, 16:36

  • Share

I dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, Lek Mirakaj është një ndër ish-të burgosurit e Spaçit. 52 vjet pas revoltës në këtë burg, ai, bashkë me një tjetër të dënuar në këtë vend famëkeq, Nestor Topençarov, sjellin në vëmendje vuajtjet në aktivitetin e organizuar nga Autoritet për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bibliotekën e Kryeministrisë. Edhe pse ata kanë kaluar disa vite të jetës së tyre në Spaç, pas revoltës së 1973-it, vërejnë se pikërisht kjo revoltë e bëri edhe më çnjerëzor trajtimin që iu bëhej djemve dhe burrave në burg.

“Çdo ditë ishte stres. Të mendoje i mbyllur mes atyre maleve, i rrethuar me tela me gjemba, të mendoje kur hyje në galeri dhe nuk dihej a do të dilje apo jo. Kur ktheheshe në kamp do të bëje kujdes se polici i brendshëm në momentin e parë do të të provokonte të të fuste në birucë.”,- kujton Topençarov për “Report TV”.

I futur në Spaç në korrik 1977, pas nëntë muajsh e gjysmë në birucat e Korçës ai u lirua në nëntor të ’82-it, por hera e parë që pa rrugën që të çonte te ky kamp ishte 2 vjet më parë.

“Unë isha dy vjet më parë i ftuar nga Autoriteti i Dosjeve për 50-vjetorin e revoltës, ashtu si mjaft persona që vinin për herë të parë në Spaç atë rrugë e pashë për herë të parë, megjithëse kisha jetuar atje, pasi kur më çuan isha I mbyllur në një kamion të veshur me llamarinë që quhej autoburg dhe kur u lirova, përsëri në një kamion të mbyllur, por këtë radhë me mushama të zezë.”

Për Lek Mirakajn, krijimi i burgut të Spaçit është krim shtetëror.

“Nuk kam qenë në revoltën e Spaçit, por pasojat e saj ndjeheshin akoma. Ishte i dënuar burgu, por ato dënuan dhe qenin. Spaçi ishte ferr i vërtetë, në kundërshtim me gjithë konventat ndërkombëtare. Na përdornin si skllevër.”, - shprehet ai.

Mirakaj thotë se është detyrë e shtetit të kujdeset për ata pak ish-të burgosur të Spaçit që janë ende gjallë. Sipas tij, revolta e Spaçit dhe ajo e Qafë Barit janë pishtarët e parë të demokracisë në vend.

“Besoj se janë disa qindra që kanë ngelur dhe kanë pension mizerabël. Të paktën të barazohet pensioni i tyre me atë të kriminelëve që ushtronin dhunë.  Është detyrë e shtetit t’i shërbejë edhe të famshmit pajtim kombëtar, të tregojë respekt. Nëse si popull kemi merita, vlera kryesore qëndron në ato dy revolta. Ishin pishtarë që ndriçuan. Për herë të parë atuy u dëgjuan thirrjet: e duam Shqipërinë si gjithë Evropa.”, - thekson Mirakaj.

Në kuadër të 52-vjetorin të revoltës së të burgosurve politikë në kampin -burg të Spaçit është prezantuar edhe faqja ëeb e tij, një arkivë digjitale që sjell dëshmi, dokumente, harta, intervista dhe materiale edukative për këtë kamp dhe për Revoltën e majit 1973.  Ajo synon të afrojë të rinjtë me këtë kapitull të rëndësishëm të historisë përmes një ndërfaqeje të qartë dhe interaktive, në shërbim të dijes, kujtesës dhe reflektimit shoqëror.

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?