5310 pacientë me Parkinson në Shqipëri, ilaçi madopar ende mungesë! Vëzhgimi i Report Tv: S’gjendet në farmaci

26 Mars, 17:07| Përditesimi: 26 Mars, 18:32

  • Share

Shifrat zyrtare nga Fondi i Sigurimit për vitin 2023 tregojnë për 5310 pacientë të cilët trajtohen me rimbursim me ilaçin MADOPAR, medikamentin bazë për sëmundjen e Parkinsonit.

Pas denoncimeve të shumta, Report TV bëri një vëzhgim disa ditë më parë ku konstatoi mungesë të ilaçit në rrjetin farmaceutik në vend. Gjatë një komunikimi jozyrtar me përfaqësues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, institucionit përgjegjës për ilaçet e rimbursueshme, Report TV iu tha se MADOPAR ishte mungesë tregu jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Rajon e më gjerë, për shkak të kompanisë prodhuese zvicerane Roche, megjithatë nga institucioni na siguruan se shumë shpejt tregu do të mbulohet dhe ky medikament do jetë i gatshëm për përdorim nga pacientët. 

Report TV dërgoi një shkresë zyrtare pranë FSDKSH, më datë 13 mars, për të marrë informacion dhe 12 ditë më vonë, më 25 mars, në përgjigjen zyrtare Fondi garanton se: Lidhur me kërkesën për informacion për barin Madopar, ju bëjmë me dije se ky bar gjendet tashmë në të gjithë rrjetin farmaceutik të vendit.

Një ditë më pas, 26 mars, Report TV bëri një tjetër vëzhgim në terren ku konstatoi se medikamenti vijon të jetë mungesë nëpër farmaci në zona të ndryshme të Tiranës.

Gazetari: Ky ilaçi madopar për të sëmurët me parkinson...?

Farmacistja 1: S’ka ardhur akoma!

Gazetari: Madopar-i ka ardhur apo akoma?

Farmacistja 2: Jo, jo.

Farmacistja 3: Nuk ka akoma, nuk ka ardhur!

Farmacistja 4: Jo, pyeta, sepse ma kërkuan përsëri, sot në mëngjes pyeta depot dhe nuk ka në gjendje fare, vetëm jashtë-shtetit.

Report TV kontaktoi me dy depo farmaceutike në kryeqytet, lidhur me medikamentin MADOPAR.

Gazetari: A ka ardhur Madopari për të sëmurët me parkinson?

Depo farmaceutike 1: Jo nuk ka ardhur!

Depo farmaceutike 2: Jo vazhdon mungesë!

Pra, edhe pse shqetësimi është ngritur prej javësh tashmë, ndërkohë që ilaçi raportohet se mungon prej muajsh, mijëra të sëmurët që vuajnë nga parkinsoni vijojnë peripecitë në pritje të medikamentit që u lehtëson atyre lëvizjen e gjymtyrëve apo dhe krizat e frikës.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?