Sport

55 vite nga 17 Nëntori-Ajax, rikthen në Tiranë ish-futbollistët Krol dhe Arie Haan! Ekspozitë për ndeshjen që vendosi marrëdhëniet diplomatike

9 Tetor, 15:24| Përditesimi: 9 Tetor, 17:30

  • Share

55 vite më parë në Tiranë do të lindte Ajax-i i madh i 3 Champions League radhazi. Një skuadër që shpiku futbollin total pikërisht përballë 17 Nëntorit në ‘Qemal Stafa’.

Ngjarje e cila është lidhur ngushtësisht edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Holandës. Për të përkujtuar këtë moment historik erdhën në Tiranë dy yje të futbollit holandez dhe Ajax-it si Ruud Krol dhe Arie Haan, ky i fundit edhe ish-trajner i kombëtares shqiptare.

“Erdhëm në Shqipëri dhe pamë një realitet që nuk mund ta imagjinonim. Nuk e njihnim këtë vend, që më vonë do të bëhesha trajner i kombëtares. Duke parë kushtet nuk e prisnim që 17 Nëntori të luante në atë mënyrë. Nga ajo kohë e deri më sot mund të them se Shqipëria ka ndryshuar kategorikisht, ndërsa Tirana ngjan me Amsterdamin,”-u shpreh Arie Haan, ish-futbollist i Ajax-it.

“Jam shumë i impresionuar se si e gjej Shqipërinë. Kur luajtëm me 17 Nëntorin qëndruam në një hotel ku njerëzit lëviznim vetëm në këmbë dhe nuk kishte makina. Sot ndërkohë shoh që është ndërtuar një stadium kaq i bukur,”-deklaroi Ruud Krol, ish-futbollist i Ajax-it.

Për ndeshjen 17 Nëntori-Ajax në Champions League të luajtur më 16 shtator 1970 dhe të përfunduar me shifrat 2-2, në stadiumin Air Albania është hapur një ekspozitë dy ditore ku të pasionuarit pas këtyre skuadrave dhe jo vetëm do të kenë mundësinë ta vizitojnë falas.

“Me të vërtetë unë mbaj postin e ambasadorit në Shqipëri, por ambasadorët e vërtetë janë këta ish-futbollistë,”-tha Reinout Vos, ambasador i Holandës në Shqipëri.

"Futbolli është më shumë se politika, sepse futbolli i paraprin diplomacisë. Futbolli është një lojë magjike, por është një lojë që realizon shumë gjëra të tjera, bashkon popuj, krijon lidhje, i paraprin diplomacisë, dhe unë për këtë jam shumë i lumtur që ambasada na ka përzgjedhur si partner për të hapur javën kulturore holandeze me një kujtim të aktiviteteve sportive,"-tha kreu i FSHF-së Armand Duka.

Ruud Krol dhe Arie Haan, ish-trajner i Kombëtares, gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, vizituan edhe kuqezinjtë të cilët po stërviten për ndeshjen kualifikuese të Botërorit kundër Serbisë. 

Ne.k./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?