5-6 vatra në ditë! Pakujdesia shkak për zjarret në Tiranë, Goxhaj: Shmangni zgarat në natyrë e djegiet e mbeturinave

16 Korrik 2020, 17:05| Përditesimi: 16 Korrik 2020, 22:51

  • Share

Një neglizhencë e vogël mund të shkaktojë një tragjedi. Nis nga një zgarë, e aq më e rrezikshme nga djegia e mbeturinave, që nxitur nga temperaturat e larta mund të shkaktojnë vatra zjarresh të përmasave të mëdha.

“Pakujdesia e qytetarëve për eliminimin e mbeturinave bujqësore është e para, por që një kujdes tjetër duhet të tregohet edhe në përdorimin e zgarave. Sepse dihet që qytetarët i shfrytëzojnë në fundjavë vendet turistike në periferi të Tiranës nuk duhet të përdorin zgara në terren. Duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse dhe një cigare në këto temperatura të larta dhe me barin që thahet shkakton zjarr që shumë shpejt merr përmasa të jashtëzakonshme”,   tha kreu i zjarrfikësve Tiranë, Shkëlqim Goxhaj.

Gjatë sezonit veror shënohen 5 deri në 6 zjarre në ditë, kryesisht në rrethina. E për ta parandaluar këtë fenomen, shërbimi zjarrfikës ka hartuar një plan masash.

“Dihet që me fillimin e verës dhe me ngritjen e temperaturave numri i shfaqjeve të zjarrit në zonat me pyje dhe kullota është shumë herë më i madh. Muajt me numrin më të madh të ngjarjeve janë pikërisht muajt korrik dhe gusht. Për të përballuar këtë situatë nuk është se kemi filluar tani, ne kemi disa muaj që kemi filluar përgatitjen për të përballuar numrin e ngjarjeve. Numri i ngjarjeve sidomos ditët e fundit ka qenë edhe 5-6 ngjarje në ditë”,  u shpreh kreu i zjarrfikësve Tiranë, Shkëlqim Goxhaj.

Alban Laçi është në mesin e 10 vullnetarëve që gjatë verës i bashkohen forcave zjarrfikëse për të asistuar në shuarjen e vatrave. Ajo që i ka bashkuar, është misioni për të shpëtuar jetën e qytetarëve.

“Momentalisht jemi diku tek 10 veta që po mundohemi të organizohemi, kemi marrë pjesë edhe në dy ndërhyrje me profesionistët. Kjo është mbi të gjitha një punë fisnike në shërbim të qytetarëve për ti shpëtuar jetën mbi të gjitha. Thirrja ime është që për të gjithë ata që kanë dëshirë të ndihmojnë dhe të na bashkohen janë të mirëseardhur”, tha kreu i shërbimit vullnetar, Alban Laçi.

Numri i lartë i vatrave të zjarrit dhe angazhimi maksimal që duhet për të parandaluar ngjarjet e rënda i ka lënë pa pushime verore forcat zjarrfikëse pasi lejet janë pezulluar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?