Rrugë të shkatërruara, me baltë, inerte e mbetje të hedhura në pjesë të ndryshme të rrugëve është panorama që të ofron prej vitesh lagjja e “Kampit” në Sanxhak në periferi të qytetit të Laçit.
Me pamjen e një fshati të harruar, mungesa e investimeve në infrastrukturën rrugore ka vështirësuar jetesën e banoreve.
‘Kjo ka 56 vjet nuk është vënë dorë asnjëherë në këtë rrugë. Prej këtu, deri tek lagjja e Kampit është komplet ujë. Kur ka reshje shiu mezi kalojmë në ujë. Kujt me i thanë as nuk përgjigjet askush.’- shprehet një qytetar.
Premtimet për ndërhyrje kanë qenë të vazhdueshme, por asgjë nuk ka ndryshuar përgjatë viteve për banorët të cilët veç, infrastrukturës vuajnë dhe problemin e mungesës së ujit.
‘Ujë nuk ka, rruga nuk është shtruar. Më keq nuk ka vetëm me çizme kalojmë kur është shi. Ujin e paguaj dhe nuk ka. Asnjë përgjigje nuk na jep kush”- shprehet një banore.
“Është kaq vështirë sa nuk e merre me mend sepse balta është në këmbë. Kemi frikë me dal më këpucë. Nuk ka ardhur askush. Me kontribut vetëm të popullit është hedh ky zhavorr. Fëmijët nuk kanë ku me dal. Nuk është puna vetëm për zgjedhjet me dal sa me la sytë.’- thotë një banor.
“Një lopatë dhe nuk është lëshuar këtu. Premtime kemi pas, ka qenë fondi i projektit për t’u bërë por as marrë ndonjëherë kush. Sa vijnë marrin votën nuk lëvizet fare, sidomos kur bie shi!’- u shpreh fqinji.
Në fshatin Sanxhak të Kurbinit jetojnë rreth 1 mijë familje, ku mungesa e investimeve bazë po i përball me vështirësi të shumta.