Kjo grafikë e vitit 1968 është botuar nga revista “Hosteni” gjatë periudhës kur revolucioni kulturor kinez në Shqipëri ishte në kulmin e vet. Efekt
Është vetëm një ndër 57 punimet e paraqitura në ekspozitën “Ikonat e opiumit- Grafika antifetare në komunizëm” të çelur në galerinë “Kalo” në Tiranë.
Përmes një përzgjedhjeje ilustrimesh të publikuara në shtypin e përditshëm dhe periodik, ekspozita paraqet një perspektivë të funksionit, të përdorimit dhe të komunikimit të grafikës antifetare, por edhe sakralizuese, të regjimit komunist në tri dekadat e shtrira ndërmjet sanksionimit të laicitetit në vitin 1946 dhe deri në shtetin e parë ateist në botë në vitin 1976. Emëruesi i përbashkët i këtyre grafikave është krijimi i maskave fetare, kryesisht nëpërmjet parodisë e karikaturës, dhe standardizimi i një perceptimi kolektiv nëpërmjet mesazheve të semantikës vizuale.
“Propaganda fillon që nga revista për fëmijë, siç është ‘Fatosi’ deri te revista, siç është “Shqiptarja e re”, “Vatra e Kulturës”, “Zëri i Rinisë” dhe sigurisht ajo që ishte e dedikuar për satirën dhe ridikulizimin e praktikave fetare, revista “Hosteni”, që mban numrin më të lartë të grafikave të ekspozuara. Këtu krijohet një tipizim apo maskë fetare, pra vendoset një maskë që tenton të tregojë të vërtetën e fesë për masat. Mbështetet kryesisht në disa stereotipizime që janë veset, të cilat në fakt feja i lufton si fenomene, siç është mashtrimi, grykësia, injoranca.”, - thotë për "Report TV", Elton Hatibi, koordinator i ekspozitës.
Funksioni dhe përdorimi i grafikës nuancohen edhe nga raporti medium-publik. E krijuar si “fletë satirike” më 1945 nga Ministria e shtypit, propagandës dhe kulturës popullore, revista “Hosteni” veçohet për cilësi dhe vijimësi të grafikës antifetare, por lexuesi është më shumë individual dhe i filtruar. Përkundër, “Vatra e Kulturës”, me gjithë tirazhin e kalibruar, e shumëfishon grafikën më tepër se çdo revistë tjetër, duke e shpërndarë në qoshet rurale të vendit, ndërsa shtypi i organizatave të rinisë (Zëri i Rinisë, Pionieri dhe Fatosi) projekton mesazhin në të ardhmen.
Një ndër imazhet që mund të veçojmë është ai i një prifti para dhe pas luftës ndaj fesë, të cilit pas prerjes së flokëve i dalin brirë të ngjashme me djallin. Në këtë aspekt, ky portretizim, sipas Hatibit është shumë i ngjashëm me portretizime që janë bërë edhe në rastin e luftërve fetare në Evropë, mes katolikëve dhe protestantëve.
Sjellja në vëmendje e këtyre grafikave merr peshë në ditët e sotme, duke ngjallur mes të tjerash interes studimor e njohjeje historike. Pas Tiranës, ku do të qëndrojë e çelur deri më 11 prill, ekspozita është menduar të shkojë edhe në Shkodër, por edhe jashtë vendit, si në Vjenë dhe në SHBA.
Komente
